Sport

“Abissnet Superiore”, sot dhe nesër luhen takimet e Javës së 29-të!

“Abissnet Superiore”, ndeshjet e Javës së 29-të luhen sot dhe nesër. Këtë të shtunë, siparin e javës e ngre takimi Bylis-Teuta që luhet në Ballsh nga ora 15:00. Më pas në orën 18:00 nis sfida Erzeni-Kastrioti që zhvillohet në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Dy humbjet radhazi në kampionat nuk e kanë lejuar Erzenin të forcojë pozitat në klasifikim. Hera e fundit që Erzeni e ka mbajtur portën e paprekur ishte më 22 janar të këtij viti në suksesin 0-2 ndaj Kukësit në transfertë. Që nga ajo përballje, Erzeni ka pësuar 20 gola në 11 ndeshje. Pavarësisht vendit të fundit që mban Kastrioti, Erzeni nuk ka fituar në përballjet direkte, pasi tre përballjet e fundit përfunduan në barazim.

Të dielën, pra ditën e nesërme luhen tre ndeshjet e tjera:

Në orën 15:00 të datës 16 prill nisin dy duelet Laçi-Partizani (në Laç) dhe Kukësi-Vllaznia (në Kukës Arena). Java mbyllet me sfidën Tirana-Egnatia, në “Elbasan Arena”, që nis në orën 18:00.

Partizani do të luajë me formacionin më të mirë të mundshëm. Në prag të sfidës me kurbinasit, trajneri Giovani Colella mori lajme të mira pasi Tedi Cara është rikuperuar plotësisht pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e fundjavës së kaluar në Rrogozhinë.

22-vjeçari është stërvitur rregullisht me grupin dhe do të zbresë në fushë që nga minuta e parë duke hequr disa pikëpyetje që mund t’i kishin lindur teknikut në rast të një mungese të mundshme. Mbrojtësi maqedonas Atanasoski është po ashtu një rikuperim i rëndësishëm për repartin e tërhequr të mbrojtjes kryeqytetase që tregoi se ka kufizime të dukshme.