Sport

“Abissnet Superiore” për vajza/Vllaznia – Tirana kryesfida e javës së 16-të!

“Abissnet Superiore” për vajza rikthehet këtë fundjavë, pas shkëputjes disaditore për shkak të angazhimit të futbollisteve me ekipet Kombëtare A dhe U-19 në aktivitetet europiane. Sfida e parë e javës së 16-të është Skënderbeu – Kinostudio. Kjo ndeshje do të zhvillohet ditën e sotme në Korçë, në orën 13:00. Në të njëjtën ditë, pra po sot, luhet edhe sfida Apolonia – Laçi. Fieraket kërkojnë triumfin e radhës në shtëpi dhe kjo përballje do të startojë në orën 14:00.

Të dielën do të luhen tre takimet e tjera të javës së 16-të. Në “Arenën e Demave”, në orën 12:00, Partizani do të përballet me Lushnjën. Vajzat e kuqe do të synojnë fitoren e radhës për të mos humbur terren me kreun e renditjes.

Në orën 13:00 do të luhet edhe takimi, Gramshi-Teuta, ndërsa java e 16-të e kampionatit “Abissnet Superiore” për vajza do të mbyllet me klasiken e futbollit shqiptar, Vllaznia – Tirana. Kampionet në fuqi të vendit do të kërkojnë fitoren e radhës për të blinduar vendin e parë, ndërsa vajzat bardheblu do të tentojnë triumfin për të rihapur garën për titull. Klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia – Tirana do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 16:00.

Java e 16-të e “Abissnet Superiore” për vajza:

Skënderbeu – Kinostudio, 13.04.2024, ora 13:00

Apolonia – Laçi, 13.04.2024, ora 14:00

Partizani – Lushnja, 14.04.2024 ora 12:00

Gramshi – Teuta, 14.04.2024, ora 13:00

Vllaznia – Tirana, 14.04.2024, ora 16:00

Sa i përket Javës së 15-të, nisi të martën e 26 marsit me sfidën Laçi – Vllaznia. Kampionet në fuqi të vendit morën fitoren e radhës, pasi mundën Laçin me rezultatin 7-0.

Sfidat e tjera të javës së 15-të të kampionatit “Abissnet Superiore” për vajza u luajtën më 30 mars. Tirana triumfoi ndaj Skënderbeut me rezultatin 10-0. Vajzat bardheblu dominuan takimin dhe nuk e vendosën aspak në diskutim fitoren. Edhe Partizani regjistroi fitoren e radhës pasi mposhti Teutën me rezultatin e thellë 15-0. Vajzat e kuqe ishin të pandalshme, teksa shënuan tetë gola që në pjesën e parë.

Apolonia mundi Lushnjen me rezultatin 17-1. Fieraket zhvilluan një ndeshje shumë të mirë dhe siguruan fitoren e radhës. Java e 15-të e Kampionatit “Abissnet Superiore” për vajza u mbyll me takimin, Kinostudio – Gramshi. Vajzat e Kinostudios fituan minimalisht 1-0, teksa goli i fitores u shënua vetëm në fundin e sfidës.

Rezultatet e javës së 15-të në kampionatin “Abissnet Superiore” për vajza:

Laçi – Vllaznia 0-7

Tirana – Skënderbeu 10-0

Teuta – Partizani 0-15

Lushnja – Apolonia 1-17

Kinostudio – Gramshi 1-0