Aktualitet

Akuzohen për korrupsion, arrestohen dy punonjës policie në Rinas!

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se ka arrestuar dy punonjës policie të komisariatit Rinas, pasi dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të korrupsionit. Në një deklaratë për mediat, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bën të ditur se dy të ndaluarit do të përballen në gjykatë me akuzën “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

Në pranga ranë dy inspektorë me detyra kontrollorë, të moshave 24 e 31-vjeç. Bazuar në prova, nga hetimi u krijuan dyshime të arsyeshme se ata kërkuan e përfituan para në formë ryshfeti nga një shtetase.

AMP njofton:

Të arrestuarit janë Inspektor A.D., 31 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Aeroporti Rinas; Inspektor E.B., 24 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Rinas.

Arrestimi u krye pasi, gjatë hetimit u krijuan dyshime të arsyeshme, bazuar në prova se punonjësit e policisë, duke shfrytëzuar funksionin organik, kanë kërkuar dhe përfituar vlera monetare në formë ryshfeti, nga një shtetase që udhëtonte në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Vijon puna për evidentimin e personave apo punonjësve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si edhe nëse ka raste të ngjashme.

AMP fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës apo Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin, duke telefonuar falas në numrin 08009090.

Reagoi edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Në një postim në Facebook shkruan:

Vijon procesi i vetë-pastrimit në Policinë e Shtetit. Falë punës së Agjensisë së Mbikqyrjes Policore gjatë natës së mbrëmshme janë arrestuar dhe vendosur përpara përgjegjësisë penale dy inspektorë të Policisë Kufitare për veprime korruptive ndaj qytetarëve, duke i çuar në 14 rastet e goditura në dy javët e fundit në një proces vetëpastrimi i radhëve të Policisë, i cili do të jetë sistematik.

Forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese në këtë drejtim është kritik, rritja e besimit dhe bashkëpunimi me qytetarët është busulla jonë orientuese për një Shqipëri më të sigurtë dhe të qetë falë punës dhe përkushtimit të gardianëve të ndershëm dhe profesionistë të zbatimit të ligjit.

Falenderoj të gjithë ata qytetarë, si në rastin e dy kontrollorëve të kufirit, të cilët kanë raportuar apo ndarë me ne ankesat e tyre për veprime të dyshuara të paligjshme apo që bien ndesh me Ligjin dhe me Kodin Etik në Policinë e Shtetit.