Celebrities Live From Tirana Magazine Showbiz

Albumi “Luminous” nga Kejsi Tola/ Projekti me bashkëpunimet ndërkombëtare që ka tërhqur vëmendjen e të gjithëve!

E ftuar sot në studio për emisionin “Live From Tirana” ishte këngëtarja Kejsi Tola, e cila njihet si një nga artistet me zërin më të mirë dhe për këngët e saj shumë të bukura të dashurisë. Së fundmi, ajo ka publikuar albumin e saj të ri titulluar “Luminous”, i cili përmban pesë këngë të shkruara në gjuhën angleze. E pyetur për këtë zgjedhje, ajo u shpreh:

Nuk është se kishte një qëllim konkret, thjesht në fazat e karrierës, një artist shikon rrugën e tij dhe shikon pse jo të eksperimentojë në gjëra e këngë të ndryshme. Ishte një mendim i imi i momentit dhe mendova pse jo mos ta provoj. Dhe siç e kam thënë, kanë qenë disa mesazhe në Instagram që u kam dërguar producentëve të huaj dhe nuk e prisja që do të kisha një përgjigje.

Tashmë në fazën e promovimit të albumit të saj, në rrjet po përmenden emra mjaft të njohur që kanë punuar së bashku me Kejsin. Në lidhje me këtë temë, ajo pohoi:

Po, as vetë nuk e besoja kur kemi bërë kampin e parë në Paris me Ultra Music dhe të gjithë producentët aty ishin të nënshkruar me ta. Më pas, në kampin e dytë kur kemi qenë në Romë, filluan të shtoheshin producentët akoma edhe më të afirmuar. Njëri nga producentët është producenti që ka shkruajtur “Despacito” dhe ai ka shkruajtur këngën time “One Night In Barcelona”. Një grup tjetër ka punuar me Rihanna-n, Rauw Alejandro-n dhe Rosalia-n. Një tjetër që ka shkruajtur “All Night” është fitues i çmimit Grammy së bashku me Justin Bieber.

E pyetur në lidhje me rrugëtimin e ri dhe se si e sheh të ardhmen e saj, Kejsi është shprehur kështu:

Unë e kam thënë, kur publiku i do këngët e mia, në atë moment, ai është rrugëtimi im që do doja të zgjidhja. Më kanë pyetur shumë njerëz që tani po synon tregun ndërkombëtar, por unë nuk e di se si do të shkojnë gjërat. Unë i falenderoj shumë sepse çdo këngëtar shqiptar e ka ëndërruar veten në skenat e mëdha, por nuk është se e kam nisur me këtë plan që patjetër gjërat do të shkojnë atje. Ky ka qenë një proçes dhe vazhdon të jetë një proçes dhe më vjen mirë që gjërat kanë ardhur gradualisht. Pata kohë ta kuptoj këtë proçes që jam tani.

Por Kejsi nuk e mbaron rrugëtimin e saj vetëm këtu, pasi ka vendosur që pas publikimit të këtij albumi, të vijë edhe me këngë në gjuhën shqipe:

Nuk jam shkëputur asnjëherë nga Shqipëria dhe unë kam lindur dhe kam jetuar me këtë publik dhe këtë projekt që është pak ndërkombetar e kam nisur këtu. Mendoj që në këto kohë muzika është bërë pak eksperimentuese, në qoftë se më para ishte e vështirë të bëje diçka në anglisht, sot është ndërkombëtarizuar. Mendoj që do bëj këngë në anglisht akoma, që i kam tashmë të përgatitura. Ne kemi menduar të fusim fjalë shqip në këngë të ndryshme dhe ndoshta ky do jetë një plan tjetër me shkrimtarë dhe producentë shqiptarë dhe të huaj. Kam disa gjëra në kokë. Po e shijoj, nuk ka qenë e thjeshtë.