Aktualitet

“Alpe të pastra” në tre qarqe, asgjësohen mbi 4 mijë bimë cannabis!

Policia e Shtetit vazhdon mega-operacionin e nisur prej disa javësh kundër bimëve narkotike. Sipas njoftimit më të fundit zyrtar, gjatë 24 orëve të fundit në qarqet Shkodër, Lezhë e gjithashtu në Kukës, në total u asgjësuan 4 mijë e 165 bimë të tilla, të llojit cannabis sativa. Po referuar këtij njoftimi të Policisë së Shtetit, paralelisht po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njoftimi zyrtar: 

Në qarkun Shkodër, gjatë fazës së 9-të të operacionit policor të koduar “Alpe të pastra” u asgjësuan 3 mijë e 295 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në disa fshatra, në bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Pukë. Në qarkun Lezhë, gjatë fazës së 30-të të operacionit policor të koduar “Imazhi” u asgjësuan 513 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në një fshat në Mirditë.  Në qarkun Kukës, gjatë fazës së 5-të të operacionit policor të koduar “Bjeshkët e Nemuna” u asgjësuan 357 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në terren malor, në Lekbibaj, Tropojë. Procedohet penalisht përgjegjësi i shërbimit pyjor të kësaj zone, shtetasi Gj.P, për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre.

Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin, duke përdorur edhe dronë, për kontrollin e zonave malore. Si rezultat i kontrolleve, në territoret e qarqeve Shkodër, Lezhëhe Kukës, janë gjetur dhe asgjësuar në total 4 mijë e 165 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Policia e Shtetit garanton se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike. Materialet procedurale i kaluan prokurorive respektive, për veprime të mëtejshme.