Aktualitet

Alqi Bllako lihet në burg!

Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako u la në burg nga Gjykata e Posaçme. Edhe pse vetëm për masë sigurie, seanca në GJKKO zgjati 2 orë e në fund u vendos “Arrest me burg”. Avokati i Bllakos, Sokol Hazizaj e konsideroi vendimin e GJKKO-së “të padrejtë” e theksoi se ish-deputeti, “në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, nuk ka prodhuar akte, por vetëm ka kaluar dokumentacionet për Këshillin e Ministrave”.

Eshtë jo ligjore dhe jo e drejtë! La në fuqi këtë lloj vendimi që për ne është tërësisht dhe haptazi jo vetëm në mungesë të respektit dhe lirisë së Alqi Bllakos, por edhe në mungesë të dijenisë që ka kjo gjykatë dhe organi procedural i hetimit për Kodin e Procedurës Administrative. Tre faktet penale të cilat ka identifikuar organi procedural i hetimit, që lidhen me shpronësimin e tokës, janë akte të prodhuara jo nga Alqi Bllako. Nuk është prodhuar akti nga Alqi Bllako. Bllako në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm ka përcjellë vetëm dokumentacionin për shkak të akteve që dalin nga Këshilli i Ministrave.

Për arrestimin e Bllakos pati paqartësi. Policia e Shtetit tha se “Alqi Bllako është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës që prej mbrëmjes së të enjtes”, duke hedhur poshtë çdo pretendim që u ngrit nga mungesa e informacionit zyrtar se ish-deputeti mund të ishte arratisur.

Por, SPAK dje në një deklaratë tha se “masa e “Arrestit me burg” që GJKKO caktoi të enjten u ekzekutua nga policia në orën 03:30 të mëngjesit të datës 1 prill”.

Alqi Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre lidhur me aferën e inceneratorit të Fierit. Pasi dorëzoi mandatin e deputetit, për të GJKKO vendosi masën “Arrest me burg”.