Bota

Amerika përgatit projekt-rezolutë për armëpushim të përkohshëm në Gaza!

Shtetet e Bashkuara po qarkullojnë një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që parashikon një armëpushim të përkohshëm në Gaza, pasi hodhën poshtë një dokument të mbështetur nga vendet arabe. Dokumenti i siguruar nga Associated Press e kërkon këtë  armëpushim “sa më shpejt të jetë e mundur”. Po ashtu, bën thirrje për lirimin e të gjitha pengjeve nga Hamasi.

Ndër të tjera, në projekt-rezolutën amerikane bëhet thirrje për heqjen e të gjitha kufizimeve në dërgimin e ndihmave humanitare. Sipas propozimit të Uashingtonit, bashkë me lirimin e pengjeve, “kjo do të ndihmonte në krijimin e kushteve për një ndërprerje të qëndrueshme të luftimeve në Gaza”.

Këshilli i Sigurimit pritet të votojë sot projekt-rezolutën e mbështetur nga vendet arabe, të propozuar nga Algjeria, e cila përfaqëson 22 vende arabe në organin më të fuqishëm të OKB-së.

Përveç armëpushimit, propozimi algjerian kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve dhe përsërit kërkesat e Këshillit, që Izraeli dhe Hamasi “të respektojnë me rigorozitet” ligjin ndërkombëtar, veçanërisht mbrojtjen e civilëve, si dhe refuzon zhvendosjen e detyruar të civilëve palestinezë.

Ambasadorja e SHBA-ve, Linda Thomas-Greenfield bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara po punojnë prej muajsh për një marrëveshje për lirimin e pengjeve që do të sillte të paktën një periudhë gjashtëjavore qetësie, nga e cila “mund të përfitojmë që të fillojmë të ndërmarrim hapat për të ndërtuar një paqe më të qëndrueshme”.

Diplomatja u shpreh se presidenti amerikan, Joe Biden ka pasur disa telefonata gjatë javës së fundit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe udhëheqësit e Egjiptit e të Katarit për të nxitur arritjen e marrëveshjes.

Vendet arabe, të mbështetura nga shumë prej 193 vendeve anëtare të OKB-së, kanë kërkuar prej muajsh të tërë për një armëpushim, ndërsa ofensiva ushtarake e Izraelit në përgjigje të sulmit të Hamasit është intensifikuar. Numri i palestinezëve të vrarë ka kaluar shifrën 29,000 sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Ministria që drejtohet nga Hamasi, nuk bën dallime mes civilëve dhe luftëtarëve, por thotë se shumica janë gra dhe fëmijë.

Izraeli zyrtarizoi të dielën refuzimin e një “njohjeje të njëanshme” të një shteti palestinez dhe shtoi se një marrëveshje e mundshme duhet të arrihet vetëm nëpërmjet negociatave të drejtpërdrejta.