Aktualitet Politikë

Amnistia Penale, PD-ja kërkon rikthimin në Komisionin e Ligjeve!

Kuvendi i Shqipërisë votoi pro përfshirjes në rendin e ditës, sot në seancë plenare, të projektligjit për Amnistinë Penale. Por, deputeti demokrat, Dashnor Sula deklaroi ky ligj nuk mund të votohet pa u kaluar më parë në Komisionin e Ligjeve teksa vuri në dukje se nuk bëhet fjalë për një akt dosido, por për një projektligj të rëndësishëm.

Neve nuk na është dhënë mundësia për të paraqitur amendamente. E keni kaluar në mënyrë të njëanshme, me votat e maxhorancës. Dakordësia nen për nen ka shumë për të diskutuar e do të ishte korrekte që Komisioni i Ligjeve të mblidhej.

Kreu i grupit parlamentar të “Rithemelimit”, Gazmend Bardhi, i cili dje konfirmoi votën pro, u shpreh se “asnjë zyrtar i dënuar nga Gjykata e Posaçme, GJKKO, nuk përfiton amnisti”. Në sallën e Kuvendit, ai tha se “janë përfshirë të gjitha rastet e protestuesve të opozitës e shoqërisë civile që përfitojnë”.

Por, një tjetër mendim ndan demokrati Enkelejd Alibeaj, i cili po në Kuvend tha se “në projektligjin për Amnistinë Penale, janë të paktën tre amendamente” që sipas tij “godasin SPAK-un dhe drejtësinë e re”.

E para, ju dështuat Reformën Zgjedhore, e dyta, gjasme komisionet hetimore dhe e treta është kjo sot. Do të jepet vota për t’i ulur dënimin një vit e gjysmë burrave dhe tre vite grave, që janë dënuar nga drejtësia e  re. Testi i parë i hidhur i ri i kësaj marrëveshjeje.

Edhe Alibeaj kërkoi që ky projektligj të kthehet sërish në Komisionin e Ligjeve.

Ta ktheni në komision, ta diskutojmë e të bëjmë transparencë, si dhe të shohim interesat individuale. Janë tre amendamente që godasin drejtpërdrejtë SPAK-un.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një prononcim për mediat, para nisjes së punimeve të seancës plenare, tha për gazetarët se “propozimi i PS-së, me mbështetjen e pazarxhinjve të PS-së, e kthen votën e atyre që i thonë vetes opozitë, në votë të një aneksi të PS-së, një kamerdare për Edi Ramën. Së dyti jep një sinjal të qartë kundër SPAK-ut.

Sipas Bashës, “kjo është aleanca anti-SPAK, sepse sinjali është se ju i dënoni zyrtarët, por ne i lirojmë me amnisti”.