Aktualitet

Anëtarësimi në BE, përfundon faza e parë e negociatave. Arritje e rëndësishme për Shqipërinë!

Komisioni Evropian njoftoi ditën e djeshme përfundimin e procesit ‘screening’ që njihet si faza e parë e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Sot ministria e Jashtme ka dhënë detajet për procesin, duke theksuar se zgjati 14 muaj me përfshirjen e 1500 ekspertëve shqiptarë dhe 1000 ekspertëve të KE.

Duke e cilësuar këtë si një arritje shumë të rëndësishme në procesin e integrimit drejt Bashkimit Europian, Ministria e Jashtme, thekson se hapi i rradhës është çelja e grupkapitujve të parë për çështjet themelore.

Shqipëria shënon një tjetër hap shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.  Procesi i shqyrtimit të përputhshmërisë, i njohur si “screening” përfundoi me sukses këtë javë në Bruksel. Ky proces zgjati për 14 muaj me 777 prezantime, me përfshirjen e mbi 1500 ekspertëve shqiptarë dhe 1000 ekspertëve të Komisionit Evropian. Që prej vitit 2022, u mbajtën 300 takime shpjeguese dhe dypalëshe për shqyrtimin e acquis. Ky proces e sjell Shqipërinë më afër me Bashkimin Evropian dhe e bën atë më të përgatitur për fazat e mëtejshme të integrimit.  Hapi i radhës është hapja e grupkapitullit të parë për çështjet themelore. Një nxitje për angazhim intensiv, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE-thuhet në njoftimin e ministrisë.

Procesi “screening” është faza e parë e negociatave ndërsa më tej do të duhet që Shqipëria të avancojë në përafrimin e legjislacionit me BE.