Aktualitet

Arrestohet krahu i djathtë i ‘Rrumit të Shijakut’. Agron Bejdolli akuzohet për pengmarrjen e vëllezërve Beqiraj!

Agron Bejdolli, krahu i djathtë i Pëllumb Muharremit, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”, është arrestuar në Spitallë të Durrësit.

53-vjeçari ishte shpallur person në kërkim për pengmarrjen në bashkëpunim të vëllezërve Indrit dhe Gentian Beqiraj në vitin 2022 dhe njihet si pjesë e grupit kriminal të “Rrumit të Shijakut”, i cili është shpallur në kërkim nga policia për disa vepra penale.

Ishin dëshmitë e vëllezërve Beqiraj që çuan në zbulimin e një rrjeti vrasësish me pagesë si dhe porositësit e disa vrasjeve.

Vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj

Bejdollit i është caktuar nga gjykata masa e arrestit me burg për “heqje të paligjshme të lirisë” ose pengmarrje të dy vëllezërve Beqiraj në tetor të 2022-it.

Bejdolli ishte një prej 4 personave që i prenë rrugën me një automjet dy vëllezërve në afërsi të mbikalimit të Maminasit, ndërsa ata ishin nisur të vrisnin dy shtetas me porosi të një efektivi të policisë së burgjeve që, sipas dëshmive të tyre, kishte parapaguar 3500 euro për krimin.

Mësohet se ai është prangosur në shtëpinë e një kushëriri të tij.

Por si ndodhi pengmarrja e vëllezërve Beqiraj? Pas një konflikti të ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës më 2 tetor të dy viteve më parë, disa persona me automjete goditën motomjetin e dy vëllezërve dhe më pas morën me vete njërin prej tyre.

Ishte rrethimi i policisë që i detyroi pengmarrësit ta lironin pas një ore, duke e lënë Indrit Beqirajn në rrugë.

Kështu, Indrit Beqiraj bashkë me të vëllanë përfunduan në komisariat, ku deklaruan se ngjarja ndodhi për motive të dobëta.

Por ky deklarim mbi dhunën dhe pengmarrjen nuk i bindi hetuesit, për më tepër që dy vëllezërit rezultuan persona me precedentë të mëparshëm penal për “armëmbajtje pa leje” dhe “shitje narkotikësh”.

Pas arrestimit Gentian e Indrit Beqirajt, u zbardhën një sërë ngjarjesh kriminale.

Si rrjedhojë u arrestuan 14 persona të dyshuar për pjesëmarrje në ngjarje kriminale, ndërsa 5 të tjerë u shpallën në kërkim.