Bota

Pengmarrje në një kafene në Holandë/Autori thotë se ka eksploziv!

Disa persona janë marrë peng në një kafene në qytetin holandez Ede. Lajmin e ka bërë të ditur policia, teksa forcat e rendit evakuan njerëz nga banesat pranë vendit të ngjarjes. Sipas mediave lokale, personi përgjegjës për rrëmbimin, ende i paidentifikuar, deklaroi se ka në zotërim pajisje shpërthyese e kërcënon të bëjë një masakër. Sapo u mësua se u liruan tre pengje, por nuk ka njoftime edhe sa janë që mbahen peng.

Paraprakisht, duket se motivi nuk lidhet me terrorizmin e ndonjë grupi radikal si ISIS-i apo të lidhur me të. Sipas policisë, për momentin nuk ka elementë që mund të sugjerojnë një akt terrorist si ato të marra përsipër nga Shteti Islamik.

Qyteti Ede ndodhet 85 kilometra në juglindje të Amsterdamit. Oficerët e armatosur rëndë janë në vendngjarje dhe raportohet se 150 banesa përreth u evakuuan për shkak të rrezikut.

Dyqanet dhe qendra e qytetit Ede po qëndrojnë të mbyllura. Autoritetet holandeze iu kanë bërë thirrje të gjithë personave të pazhvendosur, që të qëndrojnë në shtëpi e të mos dalin jashtë. Shërbimet e trenave në zonën e prekur gjithashtu u ndërprenë.