Aktualitet

Atentati ndaj kreut të PD-së në Vaun e Dejës, ekspertiza: 50 gramë tritol! 6 të shoqëruar!

Forcat xhenio konkluduan se 50 gramë lëndë eksplozive është sasia e vendosur në automjetin e kreut të degës së PD-së së Berishës në Vaun e Dejës, Benard Ndreca. Në këtë përfundim dolën pas ekspertimit të automjetit “Audi” që shpërtheu dje në mëngjes.

Burime nga policia e Shkodrës bënë të ditur se 24 orë pas ngjarjes së rëndë u shoqëruan gjashtë persona, të dyshuar se kanë dijeni. Fatmirësisht, Ndreca dhe familjarët e tij nuk u dëmtuan.

Para grupit hetimor, Benard Ndreca deklaroi se nuk ka konflikte me njeri dhe se ka dyshime që gjithçka ndodhi, lidhet me pozicionin e tij si kreu i degës së Rithemelimit në Vaun e Dejës.

Automjeti shpërtheu kur sapo Benard Ndreca hyri në makinë dhe e ndezi. Aty pranë ishte nëna e tij e pati vetëm dëme materiale të pjesshme. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë u siguruan disa imazhe, ku shihen dy persona me maskë që vendosin sasinë e lëndës plasëse në mjet rreth orës 01:15 të mëngjesit të së martës, 11 prill.

Shpërthimi me telekomandë u regjistrua rreth orës 07:10 në fshatin Paçram. Sasia e tritolit u vu në pjesën e përparme të makinës.

Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon veprimet intensive në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Reagoi Sali Berisha, i cili ngjarjen e quajti “akt të rëndë terrorizmi” dhe ngjarjen e lidhi me motive politike ndërsa bëri përgjegjës kryeministrin Rama e ministrin e Brendshëm, Çuçi.

Dënoj këtë krim të shëmtuar! Specialistët e tritolit janë të gjithë nën kontrollin qeveritar shtetëror. Pasi dështuan me të gjitha mënyrat në Vaun e Dejës, së fundmi zgjodhën atë më ekstremen, por edhe me këtë dështuan. Duke dënuar edhe njëherë me ashpërsinë më të madhe këtë akt të narkoshtetit, bëj përgjegjës direkt Edi Ramën dhe ministrin e familjes, Çuçi, pasi policia e Vaut të Dejës dhe shefi i komisariatit sillen si një seksion i PS-së. Me sjelljet e tyre militanteske, të gjitha pistat dhe dyshimet shkojnë se ata janë organizatorë të këtij akti.