Aktualitet Rajoni

Ballkani Perëndimor goditet nga një tërmet i fuqishëm!

Një tërmet i fortë i magnitudës 5.4 Rihter, sot goditi disa vende të Ballkanit Perëndimor. Epiqendra e tij ishte në Mal të Zi, vend ku u ndje më shumë dhe gjithashtu në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë e Kroaci.

Qendra Evropiane Sizmologjike Mesdhetare (EMCS) njoftoi se epiqendra e tërmetit që u regjistrua në orën 04:06 të mëngjesit, ishte në një thellësi prej dhjetë kilometrash, në qytetin perëndimor të Malit të Zi, Nikshiq.

Departamenti i Sizmologjisë i Institutit për Hidrometeorologji dhe Sizmologji të Malit të Zi bëri të ditur se ka regjistruar një tërmet 5.4 Rihter. Në njoftimin zyrtar të këtij instituti, nuk përjashtohet mundësia që të ketë shkaktuar dëme materiale:

Ky tërmet mund të ketë shkaktuar dëme materiale në zonën e epiqendrës së tij.

Lëkundjen intensive e ndjenë edhe qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa sipas komenteve në faqen e internetit EMCS, tërmeti u ndje edhe në Kroaci.

Aktiviteti sizmik vazhdoi dhe në orën 04:30 të mëngjesit, Mali i Zi u godit nga një tjetër tërmet, por me magnitudë më të dobët se i pari, 3.1 i shkallës Rihter siç raportoi EMCS.

Pas tërmetit të parë të fortë të së enjtes në mëngjes, pasoi një seri prej rreth 30 lëkundjesh më të dobëta, u tha gazetarëve shefja e Departamentit të Sizmologjisë malazeze të Institutit Hidrometeorologjik, Milena Tomanoviç.

Siç do të shprehej zyrtarja malazeze, nuk ka raportime nga terreni nëse u shkaktuan dëme të mëdha materiale, por vijojnë verifikimet për të dhënë informacione më të sakta.

Gati saktësisht 45 vjet më parë, më 15 prill 1979, Mali i Zi u godit nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7 sipas shkallës Rihter.

Epiqendra e tij ka qenë në Detin Adriatik në zonën mes Ulqinit dhe Tivarit, rreth 15 kilometra nga bregdeti. Në atë kohë humbën jetën 101 persona në Malin e Zi, si dhe u godit rëndë vendi ynë pasi u raportuan 35 viktima në Shqipëri, ndërsa mbi 100 mijë vetë mbetën të pastrehë.