Aktualitet

Balluku: “Në korrik është gati rruga e re Kthesa e Kasharit-Aeroport!”

“Në muajin korrik do të jetë gati rruga e re që lidh Kthesën e Kasharit me Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit”. Këtë e bëri të ditur sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Pas protestës së banorëve të zonave përreth Aeroportit të Rinasit për hapjen me dy drejtime të rrugës, ministrja Balluku pa nga afër situatën në këtë aks. Gjithashtu, prezantoi ndërhyrjen që do të realizohet për t’i dhënë zgjidhje trafikut në këtë segment. Ministrja Balluku shpjegoi se ARRSH ka nisur procedurën për ndërtimin e aksit të ri Kthesa e Kasharit-Fshati Ahmetaq-Rinas dhe bëri të ditur se brenda korrikut do të jetë gati.

Ministrja apeloi që të gjithë drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt veriut, të aksesojnë dy daljet e tjera, të tunelit të Kamzës ose atë të Vorës, për t’u lidhur me rrugën e Kombit apo atë të Shkodrës. Rritja e fluksit të fluturimeve ka shtuar trafikun në këtë aks, duke u bërë jo rrallë herë edhe pengesë për kapjen e orareve të fluturimeve nga ana e pasagjerëve.

Ministrja solli në vëmendje faktin se rruga është ndërtuar nga koncesionari i Aeroportit të Rinasit për të lehtësuar pikërisht pasagjerët që do të përdorin këtë aeroport. Po ashtu, ministrja Balluku informoi se fluksi i fluturimeve në fund të muajit prill dhe fillim të këtij muaji ka arritur nivelet e muajit gusht të vitit 2019, që përkon me vitin para pandemisë, kur Shqipëria kishte arritur nivele të kënaqshme të trafikut.

Sot në Rinas ulen dhe ngrihen rreth 104 avionë në ditë. Parashikimi është që ky fluks përgjatë muajve të verës të rritet më tepër. Po të llogarisim 170 pasagjerë për avion ky fluks shkon në 15-16 mijë persona dhe nëse e shumëzojmë me 2.3 që është numri i personave që shoqërojnë udhëtarët, fluksi shkon në rreth 30 mijë. Pra janë 30 mijë pasagjerë që i afrohen aeroportit të Rinasit dhe parkojnë në zonën përreth çdo ditë.