Aktualitet

Banka e Shqipërisë bleu mbi 13 milion euro!

Në datë 3 qershor, Banka e Shqipërisë zhvilloi ankandin e tretë vjetor të blerjes së valutës për qëllimet e menaxhimit të rezervës valutore. Sipas të dhënave nga tregu, në ankand u blenë gjithsej 13.2 milion euro ose pothuajse e gjithë shuma e ofruar nga pjesëmarrësit në to. Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 5 dhe 8 milion eurove dhe Banka e Shqipërisë vendosi të blejë të plotë vlerën e sipërme të intervalit prej tetë milion eurosh.

Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 120.29 dhe 120.41 lekëve. Kursi mesatar i ponderuar rezultoi 120.37 lekë. Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 5.2 milion eurosh, me kursin mesatar prej 120.37 lekësh. Në kalendarin vjetor të ndërhyrjeve në tregun valutor, të hartuar në fund të vitit 2021, Banka e Shqipërisë kishte planifikuar 15 ankande të blerjes së valutës.

Bazuar në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë parashikohej që për vitin 2022 të blihet në tregun e brendshëm valutor një shumë në intervalin midis 140 dhe 200 milion eurosh. Por, në fillim të muajit mars, kursi i këmbimit kaloi një moment destabilizimi, të lidhur kryesisht me kërkesën e lartë të OSHE-së për valutë dhe me një valë paniku që përfshiu tregun në vijim. Banka e Shqipërisë ndërhyri në tregun valutor duke shitur valutë dhe njëkohësisht vendosi të anulojë tre ankande të blerjes, të programuara gjatë muajve mars e prill.

Pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, tregu u stabilizua dhe leku filloi të rifitonte sërish terren ndaj euros. Pozitat e forta të lekut në kursin e këmbimit kanë bërë që Banka e Shqipërisë të rifillojë programin normal të blerjes së euros për nevojat e administrimit të rezervës valutore.
Megjithë shumën e konsiderueshme të blerë javën e kaluar nga Banka e Shqipërisë, edhe në këtë rast kursi i këmbimit Euro/Lek nuk ka shfaqur ndonjë lëvizje të dukshme në favor të monedhës europiane. Përkundrazi, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro të premten u zhvlerësua më tej dhe e mbylli javën e kaluar në vlerën e 120.29 lekëve.

Leku vazhdon të ruajë pozita të forta në tregun e këmbimit valutor me euron. Në gjysmën e dytë të muajit maj, euro madje preku një minimum të ri historik, në vlerën e 119.91 lekëve. Më pas, në mënyrë të papritur, euro rifitoi lehtë terren, pikërisht në javën e finales së Ligës së Konferencës, kur shumica e agjentëve prisnin një rënie të mëtejshme. Megjithatë, javën e kaluar euro iu kthye rënies dhe kursi zbriti me rreth 0.7 lekë krahasuar me një javë më parë.

Deri tani, leku i ka rezistuar rreziqeve të lidhura me inflacionin e lartë dhe thellimin e deficitit të llogarisë korrente, madje duke arritur pozicionimin më të mirë historik ndaj euros. Me nisjen e sezonit veror, pritshmëritë janë në kahun e një mbiçmimi të mëtejshëm të lekut, për shkak të shtimit sezonal të prurjes së euros, të lidhur kryesisht me turizmin. /E.Shehu