Sport

Barcelona federon Rey Manajn!

Rey Manaj me skuadrën e parë të Barcelonës! Tashmë, edhe zyrtarisht, Manaj është pjesë e skuadrës së parë e me të gjitha letrat në rregull për të luajtur në La Liga.

Në llogarinë zyrtare në rrjetet sociale, vetë klubi blaugrana bëri të ditur se Memphis Deepay, Eric Garcia dhe Rey Manaj janë federuar në listën e lojtarëve për La Liga-n. Një arritje e madhe kjo për sulmuesin shqiptar, i cili nga janari i 2020-ës u bë pjesë e Barcelonës B e këtë verë pati shansin të luajë miqësore me skuadrën e parë të blaugranave.

Manaj e shfrytëzoi më së miri mundësinë dhe muajin e kaluar, shënoi tre herë në testin me Gimnastik Tarragona, si dhe gjeti rrjetën në suksesin 3-1 ndaj Girona-s. Paraqitjet nuk ranë në indiferentizëm e shpërblimi duket pikërisht ky federim, që vjen si një mundësi e artë për sulmuesin e kombëtares shqiptare.

Jo rastësisht te Barça e zgjodhën për të federuar përkrah dy blerjeve të kësaj vere, Deepay e Eric Garcia, një provë besimi për shqiptarin, gjithashtu e favorizuar nga situata specifike e Barcelonës.

Në vështirësi serioze për të federuar lojtarë pasi i duhet të ulë zërin e pagave, federimi i Manajt dhe dy afrimeve të verës u realizua falë një sakrifice të Gerard Pique-së, i cili pranoi ulje të ndjeshme të pagës, që klubi të ketë mundësi të kryejë regjistrimet e lojtarëve.