Politikë

Basha, firmos marrëveshjen me shoqatën kombëtare të biznesit të vogël dhe të mesëm!

Lulzim Basha, Kryetari i Partisë Demokratike ka firmosur sot marrëveshjen me shoqatën kombëtare të biznesit të vogël dhe të mesëm, marrëveshja e tretë që nënshkruan kryedemokrati pas asaj me artistët dhe me personat me aftësi të kufizuara, kjo e fundit u firmos një ditë më parë.

Basha u zotua se nuk do të ketë taksa mbi 0.5% të xhiros, ndërsa shtoi se po ashtu do të ketë edhe më pak inspektime. Sipas Bashës, këto do të garantojnë rritje të ekonomisë dhe punësimit

Lidhur me mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme Partia Demokratike në qeverisje të vendit angazhohet tërësisht për të mundësuar mbështetjen e fuqishme dhe të menjëhershme ndaj biznesit në tërësi dhe biznesit të vogël dhe të mesëm në veçanti nëpërmjet: çlirimit të tregut nga oligarkia, krimi dhe burokracia, qeverisjes nëpërmjet konceptit të shtetit të vogël por efecient me prioritet të sipërmarrjes së lirë dhe ku shpenzimet qeveritare janë të ulëta dhe investimet publike janë të larta, uljen e menjëhershme të barrës fiskale si instrument thelbësor për të rindezur motorin ekonomik të vendit.

Po ashtu Basha tha se inspektoriatet e çdo lloji do të riorganizohen me një formë gjithëpërfshirëse dhe se të gjitha bizneset do të përfitojnë një periudhë kohore 12 mujore gjatë të cilës do të inspektohen por nuk do të gjobiten. Ai shtoi po ashtu se synon rritje të kufirit të regjistrimit për TVSH-në në 14 milion lekë të reja, që do të jetë një kufi i vetëm, si për TVSH-në ashtu edhe për tatimin mbi të ardhurat.