Politikë

Basha nga Levani: Të gjithë të bëhemi bashkë për t’i dhënë jetë ndryshimit më 25 prill!

Kryedemokrati Lulzim Basha ndalesën e radhës në rrugëtimin jug-veri e pati në Levan të Fierit. Lideri i opozitës në fjalën përshëndetëse  tha se 8 vite janë shumë për të dështuar dhe për këtë bëri thirrje për bashkimin e të gjithë qytetarëve për t’i dhënë jetë ndryshimit më 25 prill dhe qeverisë së ardhshme që do t’i përkasë qytetarëve.

Njësoj si fshatrat dhe vendet e tjera të Shqipërisë. Edhe Levani duket si një vend pa qeveri. Sepse 8 vite me radhë, janë 8 vite dështimesh, janë 8 vite tradhtie ndaj çdo shqiptari, të majtë e të djathtë. Ndaj sot i ftoj të gjithë pa dallim, të djathtë e të majtë, votoni për numrin 9. Grua dhe burri shqiptarë, vajzat dhe djemtë, gjyshet dhe gjyshërit, do të votojnë numrin 9, për ndryshimin e jetës tuaj, për ndryshimin që mezi presim në familjet tona. Qeveria e re do ju takojë të gjithëve ju sepse do të punojë për të gjithë shqiptarët pa dallim. Humbjen e ka ndjerë dhe Edi Rama, i cili tani po kërkon të bëhet pjesë e aleancës tonë, e qeverisjes së aleancës tonë. Por a mundet të ketë ndryshim Shqipëria pa larguar Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij? A mundet të ketë ndryshim Shqipëria duke i hapur derën edhe 4 vite të tjera atij që kishte 8 vite? 8 vite dhe vetëm premtoi e njësoj premton tani.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në turin jug-veri është ndalur edhe në qytetin e Tepelenës e Delvinës. Basha zhvillon sot një nga turet më të gjata të kësaj fushate elektorale brenda një dite, për t’iu përcjellë mesazhin e tij qytetarëve që nga Saranda e për ta përfunduar atë në Tropojë.