Aktualitet

BB: Shqipëria mes vendeve me rritjen më të lartë të eksporteve të IT në vitet 2019-2022!

Segmenti i shërbimeve të informacionit dhe teknologjisë (IT) aktualisht është kategoria me rritjen më të shpejtë të tregtisë ndërkombëtare. Një studim global nga Banka Botërore referoi se gjatë periudhës 2010–22, shërbimet e IT-së u rritën me 12% në vit, duke tejkaluar të gjitha kategoritë e tjera të shërbimeve. Shqipëria ishte në mesin e vendeve që pa zgjerim më të shpejtë vitet e fundit.

Në rang global, në vitin 2022, shërbimet IT u bënë kategoria e tretë më e madhe e eksporteve të shërbimeve, menjëherë pas transportit dhe udhëtimeve. Vendet në mbarë botën po përqafojnë sektorin e shërbimeve të IT-së si një shtytës i ri i rritjes, diversifikimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës me paga të larta.

Ndër vendet me të ardhura të mesme të larta, 6 nga 10 performuesit më të mirë janë nga Evropa dhe Azia Qendrore e rajoni, duke përfshirë Shqipërinë, Armeninë, Gjeorgjinë, Kazakistanin, Moldavinë dhe Malin e Zi.  Në këto vende, eksportet e shërbimeve IT pësuan rritje vjetore nga 30 në 130% gjatë 2019–2022.

Banka Botërore referon se në vitin 2022, në Shqipëri numëroheshin 539 kompani të teknologjisë dhe informacionit. Eksportet e këtij grupi arritën në 88 milion USD, teksa investimet në këtë sektor kapën vlerën e 150 milion dollarëve.

Teknologjia dhe përdorimi saj morën hov gjatë dhe pas pandemisë COVID-19 në vendet me të ardhura të mesme ku bën pjesë edhe Shqipëria. Ndër vendet me të ardhura të ulëta, Madagaskari dhe Uganda ishin dy shtetet e vetme që raportuan rritje të eksporteve në teknologji dhe informacion.

Eksportimi i shërbimeve IT po zgjeron shtrirjen dhe ndikimin global në krijimin e bizneseve të reja teknologjike.

Për vendet e pasura me burime, por pa dalje në det dhe me të ardhura më të ulëta, eksportet e shërbimeve IT ofrojnë perspektiva e mundësi për t’u diversifikuar dhe integruar në ekonominë globale. Për shumicën e shteteve, eksportet e shërbimeve IT po krijojnë vende pune të mirë-paguara.

Banka Botërore vlerëson se digjitalizimi është mundësia transformuese e kohës sonë. Sektori IT po bëhet promotor i inovacionit, rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës.

Vlera e shtuar në sektorin e shërbimeve të IT-së u rrit me 8% në vit gjatë viteve 2000–2022, gati dy herë më shpejt se ekonomia globale. Punësimi në shërbimet e IT-së u rrit me 7% në vit, gjashtë herë më e lartë se totali i  punësimit global./Monitor