Bashkimi Europian po shqyrton mundësinë që të mos lejojë shitjen e telefonave iPhone12 të kompanisë Apple, nëse asnjë anëtar i BE-së nuk kundërshton vendimin e Francës për të ndaluar shitjet, për shkak të rrezatimit të lartë.
Duke folur para gazetarëve në konferencën e përditshme të Komisionit Europian, zëdhënësja për tregun e brendshëm të BE-së, Sonya Gospodinova, tha se organi ekzekutiv i Unionit, si dhe shtetet anëtare, të mërkurën morën njoftimin e Parisit zyrtar për pezullimin e përkohshëm të shitjes së pajisjeve iPhone 12.
Sipas saj, Franca ndoqi një procedurë të vendosur nga legjislacioni i BE-së për pajisjet radio dhe “shtetet anëtare të Bashkimit Europian, tani kanë tre muaj kohë për të vlerësuar” ankesën.
Aktualisht, Komisioni Europian është në pritje të reagimeve të shteteve anëtare. Do të merren masa pas reagimeve.
Kujtojmë se sekretari i Shtetit i Belgjikës për Digjitalizimin, Mathieu Michel, bëri të ditur se nga Instituti belg për Shërbimet e Postës dhe Telekomunikacionit, ai kërkoi që të analizojë rreziqet e mundshme që lidhen me këtë produkt të Apple-it.
Më herët gjatë javës, të martën, Franca urdhëroi kompaninë Apple të tërheq celularët iPhone 12 nga shitja pasi testet zbuluan se modeli po prodhonte nivele të rrezatimit që tejkalonin pragjet e rregullores.
Sipas rregullave të Bashkimit Europian, telefonat celularë duhet të kenë një nivel rrezatimi nën 4 vat për kilogram, ndërsa te Iphone 12 rrezatimi ishte 5,74 vat për kilogram në 141 celularë të testuar nga Agjencia Kombëtare e Frekuencave.
Kompania Apple e kundërshtoi vendimin, duke pretenduar se pajisja ishte e certifikuar nga disa organe ndërkombëtare të sigurisë.