Aktualitet

Knaus: Franca dhe Gjermania po përgatiten të bllokojnë pranimin e Kosovës në KiE!

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se disa shtete, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, janë duke u përgatitur që të bllokojnë një votim gjatë majit për pranimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës (KiE).

Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, Knaus tha se një grup shtetesh po përgatitet të veprojnë kundër rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, që tha se Kosova ka përmbushur kriteret për të qenë pjesë e organizatës.

“Aktualisht, disa qeveri të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë atë të Gjermanisë dhe Francës, po përgatiten ta bllokojnë një votim në maj për pranimin e Kosovës, duke injoruar rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të dhënë në prill”, shkroi Knaus.

Sipas tij, një bllokim i tillë vjen pas një fushate të bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Kjo pason një fushatë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përfshirë edhe apelin e tij personal ndaj presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që të mos lejojë votimin – dhe një zotim serb për të blerë 12 avionë luftarakë francezë Rafale”, shkroi Knaus.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare votoi në favor të raportit që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE.Çështja tani është në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.