Sociale

Besimtarët katolikë kremtojnë “Ringjalljen e Krishtit! U mbajt në Katedralen e Tiranës mesha e parë në mesnatë e pashkës pas 2 viteve pandemi

Sot kremtohen Pashkët Katolike, thënë ndryshe dita e Ringjalljes së Krishtit. Mbrëmë në të gjitha kishat katolike të vendit u mbajt mesha e shenjtë e vigjiljes të Pashkëve, me ritet përkatëse.

Duke filluar nga ora 23:00 mesha nisi në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet. Kjo është mesha e parë që zhvillohet në mesnatë pas 2 vitesh nën masat e pandemisë së COVID-19. Besimtarë të shumtë kanë mbushur Katedralen në kryeqytet për të ndjekur meshën e shenjtë.

Pashka (ose pashkët) është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.

Java para Pashkëve është quajtur Java e Shenjtë, dhe ajo përmban Tri Ditët e Pashkëve, që përfshijnë Të Enjten e Shenjtë, që përkujton Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit.

Në krishterimin perëndimor, Sezoni i Pashkëve, fillon të dielën e Pashkëve dhe zgjat shtatë javë, duke i dhënë fund me ardhjen e ditës pesëdhjetë.

Kujtojmë se ditën e djeshme uruan Pashkët drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Nuk munguan urimet edhe nga politikanë.

Ndërkohë që Kreu i kishës Katolike në Shqipëri, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi Metropolit Tiranë Durrës, teksa përmendi të gjitha sfidat që jemi ndeshur vitet e fundit si tërmetin, pandeminë dhe luftën, ai bëri thirrje për të dashur edhe më shumë jetën në këto kohë të vështira.

Krishtin që vdiq në kryq për ne, e shohim te viktimat e luftës, u shpreh imzot Arjan Dodaj, duke bërë thirrje që të ndalet lufta si dhe korrupsioni e ryshfeti në shoqërinë shqiptare.

“Në festën e Pashkëve të këtij viti shohim akoma me më shumë vetëdije që ndodhet midis klithmave të gëzimit të Pashkëve të cilat shpallin Krishti është Ringjallur nga të vdekurit, e të gjithëve u ka dhuruar jetën dhe lajmet e dhimbshme që vijnë nga lufta, me miliona refugjatë të dëshpëruar që kanë braktisur vendin e tyre në pak javë. Sot, Krishtin që vdiq në kryq për ne e shohim në vëllezër e motra të pafajshëm, viktima të luftës, ku në logjikën njerëzore janë shprehja e plotë e një drame”, tha kryeipeshkvi.