Aktualitet

Besimtarët myslimanë në Shqipëri sot festojnë Kurban Bajramin!

Ashtu si në mbarë botën, edhe besimtarët myslimanë në Shqipëri, sot festojnë Kurban Bajramin. Si gjithnjë, më të shumtë në numër ishin në Tiranë e ku në orët e mëngjesit qenë me mijëra ata që mbushën sheshin “Skënderbej” për faljen e Kurban Bajramit.

Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu u shpreh:

Kurban Bajrami është një festë që materializon bindjen e lartë, dorëzimin, durimin dhe sakrificën e njeriut ndaj Zotit të gjithësisë. Kurban Bajrami është festë që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër.

Kurban Bajrami është festa që midis të tjerash simbolizon, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, të tilla si rindërtimi i Qabes, Haxhi, emërtimi “mysliman”, etj.

Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, po ashtu është i rëndësishëm aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojnë këtë festë islame.

Për nder të kësaj feste theren kurbane, ndërsa besimtarët kryejnë njërin nga pesë kushtet e fesë islame, Haxhin (pelegrinazhin në Mekë të Arabisë Saudite).

Pas riteve fetare dhe faljes së namazit të Bajramit, besimtarët u shpërndanë në shtëpitë e tyre për të vijuar me vizitat e të afërmve, therjen e kurbanit e shpërndarjen e mishit.

Në shumë qytete të vendit tonë, me qindra besimtarë myslimanë shkuan në xhami e mbushën sheshet që në orët e para të mëngjesit, për të falur namazin. Festa e Kurban Bajramit është e dyta më e madhja në Islam, e cila afron më tepër besimtarët me Krijuesin nëpërmjet lutjeve e sakrificës. Departamenti i Informacionit në Top Albania Radio uron të gjithë besimtarët “Gëzuar Kurban Bajramin!”.