Aktualitet

Fitër Bajrami, urimet e Ambasadës së SHBA-ve e Delegacionit të BE-së në Tiranë!

Ambasada amerikane në Tiranë uroi të gjithë besimtarët myslimanë që festojnë Fitër Bajramin. Selia diplomatike e Uashingtonit vë në dukje se “duke shënuar fundin e Ramazanit, Fitër Bajrami është një festë e rrënjosur në falënderim, mirësi dhe dhurim, sjellë përmes lutjes e akteve të bamirësisë”.

Paqja dhe shëndeti qofshin me të gjithë ata që festojnë në këtë ditë të veçantë!

Edhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë uroi festën e Fitër Bajramit për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë.

Përkushtimi juaj gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit ju sjelltë shëndet e lumturi ju dhe njerëzve tuaj më të dashur.

Pas faljes së namazit në mëngjes, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uroi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit. Spahiu bëri thirrje për më shumë tolerancë mes njëri-tjetrit e tha se lutjet shkojnë për paqe dhe drejtësi në të gjithë botën.

Në këtë mëngjes të bukur, gëzuar festën e Fitër Bajramit! Kjo festë qoftë një ditë e bukur, e mirë dhe e begatë! Përparim e mirësi në familjet tona, paqe dhe drejtësi! Një festë pas një përkushtimi, maratone shpirtërore, pas agjërimit prej 30 ditësh, ta ndajmë me familjet tona, me shoqërinë tonë! Gëzuar Fitër Bajramin, Zoti sjelltë mirësi, begati dhe paqe në të gjithë botën!

I pyetur lidhur me hapjen e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, tha se shpreson që shumë shpejt të hapë dyert.

Bajramet janë festa që duhen falur nëpër sheshe. Shpresojmë që edhe ajo xhami do të mbarojë e do të falemi edhe aty. Sheshet janë të dendura, nuk ka xhami në asnjë vend të botës që t’i zërë njerëzit.

Në hije nga lufta në Rripin e Gazës, muaji i shenjtë i Ramazanit përfundoi sot për miliona myslimanë në mbarë botën. Arabia Saudite, e cila është shtëpia e Mekës dhe Medinës, dy vendet më të shenjta në Islam, shpallën fillimin e Fitër Bajramit, festës së agjërimit. Këtë ditë e festojnë edhe myslimanët në shumë vende të tjera si Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia.

Fundi i muajit të agjërimit përcaktohet nga shikimi i Hënës së re. Fëmijët në veçanti marrin dhurata dhe ëmbëlsira për Bajram. Gjatë muajit të agjërimit mysliman, i cili filloi këtë vit në fillim të marsit, myslimanët e devotshëm abstenojnë nga ngrënia, pirja, pirja e duhanit dhe marrëdhëniet seksuale midis lindjes dhe perëndimit të Diellit.

Agjërimi është një nga pesë detyrimet themelore për myslimanët. Sipas vlerësimeve, ka rreth 1,9 miliardë myslimanë në mbarë botën. Vendet më të populluara me shumicë myslimane janë Indonezia, India, Pakistani dhe Bangladeshi.