Aktualitet

Bilanci i shtatorit i Policisë së Shtetit: 83 operacione, 937 në pranga!

Bilancet e shtatorit, Policia e Shtetit njofton se në muajin që lamë pas ka finalizuar 83 megaoperacione e operacione në vendin tonë. Si rezultat i tyre u prangosën 937 autorë të dyshuar krimesh të ndryshme. Në një deklaratë për shtyp, burime zyrtare nga radhët e uniformave blu bëjnë të ditur asgjësimin e mbi 76 mijë bimëve e të farave të cannabisit.

Po sa i përket aksioneve kundër lëndëve narkotike, u sekuestruan 223 kg cannabis, 6 kg kokainë e sasi heroine. Po ashtu, në 30 ditët e muajit shtator, policia raporton se ka zbuluar 68 kallëpë tritoli, 4 mina me telekomandë, 44 armë zjarri, 43 granata e 12 armë gjahu, që të gjitha të sekuestruara tashmë.

Gjatë muajit shtator, Policia e Shtetit ka mundur që të parandalojë ngjarje kriminale, gjithashtu të zbardhë shumë të tjera të kryera më parë, të garantojë rend e siguri publike, si dhe të rrisë imazhin e vendit.

83 megaoperacione dhe operacione policore të finalizuara gjatë këtij muaji kanë vënë në pranga 937 autorë të dyshuar krimesh, kanë asgjësuar 60 mijë e 705 bimë dhe 15 mijë e 564 fara cannabisi, si dhe kanë sekuestruar 223 kg cannabis, 6 kg kokainë e sasi heroine. Po ashtu, 68 kallëpë tritoli, katër mina me telekomandë, 44 armë zjarri, 43 granata e 12 armë gjahu.

Sipas informacionit të Policisë së Shtetit, angazhimi i shumëfishuar nga veriu në jug, nga Vermoshi e deri në Konispol i mijëra efektivëve, mundësoi një sezon veror të sigurtë e pa incidente, si dhe reflektoi profesionalizmin e humanizmin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Tashmë, fokusi është te siguria në shkolla, në kuadër të zbatimit me rigorozitet të asaj që njihet si Paketa e Sigurisë. Në një deklaratë theksohet:

Efektivë policie të mirëtrajnuar janë planëzuar në afërsi të shkollave të vendit dhe së bashku me aktorët e tjerë të zinxhirit të sigurisë në shkolla, janë maksimalisht të angazhuar për të implementuar me rigorozitet Paketën e Sigurisë në këto ambiente.