Bota

Britania dërgon raketa të rangut të gjatë në Ukrainë, Rusia kërcënon t’i ndërpresë Londrës internetin!

Mediat britanike thanë sot se Londra është bërë vendi i parë që përshkallëzon luftën në një tjetër nivel duke dërguar raketa të rangut të largët për ushtrinë e Ukrainës, ndërsa Moska ka thënë se nëse lëshohen raketat britanike Storm Shadow drejt saj, Britania do të mbetet pa internet dhe energji elektrike.

Rusia tha se do të ndërpresë linjat elektrike dhe ato të internetit nëse Kievi lëshon drejt saj raketat e sjella nga Mbretëria e Bashkuar.

Nëse president Volodymyr Zelenskyy vendos të përdorë raketat e sjellë nga Britania, Storm Shadoë ushtria e Putin tha se do të ketë gati “reagimin e përshtatshëm”, shkruajnë mediat ruse.

Komentatori ushtarak rus Vladislav Shurygin tha sot se Rusia mund të rrëzojë raketat Storm Shadow, dhe si reagim mund të “neutralizojë” kabllot elektrike të infrastrukturës në Britani si dhe ato të internetit.

Shurygin tha: “Ne duhet të bëjmë të qartë se sapo të lëshohet raketa e parë Storm Shadow drejt territorit rus, përfshirë dhe Krimenë, ne do të neutralizojmë infrastrukturën britanike, të gjitha lidhjet kabllore dhe të internetit.

Britania raportohet se ka lejuar trupat ushtarake ukrainase të përdorë raketat e saj por jo për të sulmuar Rusinë në territorin e saj, sipas mediave.

Ish-oficeri ushtarak sovjetik Shurygin tha se dislokimi i raketave britanike që kushtojnë $2.5 milionë secila, është një zhvillim “shumë negativ”.

Ai tha: “Kjo do të sjellë reagimin e përshtatshëm nga ushtria jonë, që nga pikëpamja ushtarake do të sjellë zgjidhjet korresponduese”.

Në një deklaratë të ministrit britanik të mbrojtjes Ben Wallace, thuhej se përdorimi i raketave Storm Shadow është “për mbrojtjen e Ukrainës.”

Ai tha: “Ne nuk do të lejojmë që Rusia të vrasë njerëz të pafajshëm prandaj përdorimi i raketave Storm Shadow do t’i lejojë Ukrainës të sprapsë trupat ruse brenda territorit sovran të Ukrainës”.

“Rusia duhet të pranojë se veprimet e tyre kanë sjellë dislokimin e këtyre sistemeve”, shtoi britaniku.