Aktualitet Politikë

Burgu i Burrelit të shpallet Muze Kombëtar, PD depoziton amendamentin!

Në Kuvend, deputetja demokrate, Dhurata Çupi depozitoi Amendamentin për ta shpallur burgun e Burrelit, Muze Kombëtar. Në propozimin e grupit parlamentar të PD-së, theksohet:

Duke qenë se një pjesë e burgut të Burrelit vazhdon të shërbejë si institucion i ekzekutimit të vendimeve penale, shpallja Muze Kombëtar, duhet të përfshijë vetëm ato pjesë të godinave dhe territorit që sot nuk janë funksionale. PD e mbështet propozimin për shpalljen e burgut të Burrelit, Muze Kombëtar, për shkak të historisë që ai mbart, si dëshmi e kalvarit të vuajtjeve të të dënuarve politikë.

Nëpërmjet këtij amendamenti synohet që listës së muzeve kombëtarë t’i shtohet edhe burgu i Burrelit, i cili për 44 vite ka shërbyer si burg politik i regjimit komunist.

Në burgun e Burrelit vuante dënimin elita e kohës. Kushtet ishin shumë të vështira dhe qindra të burgosur kanë humbur jetën, përfshirë ish-kryeministrin Koço Kotta, ish-ministrat Gjergj Kokoshi e Xhevat Korça, gjeneralët Abaz Fejzo, Gjin Marku dhe Vaskë Gjini.

Mes të burgosurve të këtij burgu, ishin klerikë të lartë si Visarion Xhuvani dhe Hafiz Ali Kraja, intelektualë si Mark Ndoja, Gjon Shllaku, Pjetër Arbnori, Fatos Lubonja e Sherif Merdani. Sipas të dhënave arkivore, numri mesatar i të burgosurve varion mes 150- 190 të burgosur. Në dhjetor 1990 në këtë burg vuanin dënimin 198 të burgosur.

RELACIONI  I  PLOTË

PËR AMENDAMENTIN E PROPOZUAR

NË PROJEKTLIGJIN “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 27/2018 “PËR TRASHËGIMINË KULTURORE DHE MUZETË”

Duke ri-konfirmuar mbështetjen e plotë të projektligjit për shpalljen muze kombëtar të kampit të punës së detyruar të të burgosurve në Spaç dhe kampit të internimit tela me gjemba në Tepelenë, nëpërmjet këtij amendamenti synohet që listës së muzeve kombëtarë t’i shtohet edhe burgu i Burrelit, i cili për 44 vite ka shërbyer si burg politik i regjimit komunist.

Sipas të dhënave historike, burgu i Burrelit nisi ndërtimin nga fundi i vitit 1938. Fillimisht, u përdor si depo grumbullimi kryesisht nga administrate e luftës. Ndërkohë, nga viti 1946 e në vijim është përdorur për burgosjen e dënuarve politikë, që regjimi komunist i konsideronte si kundërshtarët më të rrezikshëm të tij. Ky burg njihej për kushtet e vështira dhe egërsinë me të cilën sillej administrate ndaj të burgosurve. Madje, një nga motot e të burgosurve lidhur me këtë burg ishte “Këtu i thonë Burrel, hyn dhe nuk del”.

Në burgun e Burrelit vuante dënimin elita e kohës. Kushtet ishin shumë të vështira dhe qindra të burgosur kanë humbur jetën, përfshirë edhe ish-kryeministrin Koço Kotta, ish-ministrat Gjergj Kokoshi dhe Xhevat Korça, gjeneralët Abaz Fejzo, Gjin Marku dhe Vaskë Gjini. Mes të burgosurve të këtij burgu, ishin klerikë të lartë si Visarion Xhuvani dhe Hafiz Ali Kraja, intelektualë si Mark Ndoja, Gjon Shllaku, Pjetër Arbnori, Fatos Lubonja dhe Sherif Merdani. Sipas të dhënave arkivore, numri mesatar i të burgosurve në këtë burg varion ndërmjet 150-190 të burgosur. Në Dhjetor 1990 në këtë burg vuanin dënimin 198 të burgosur.

Pikërisht për shkak të historisë së këtij burgu, një dëshmi e gjallë e kalvarit të vuajtjeve të të dënuarve politikë, vlerësojmë se ai duhet shpallur muze kombëtar. Duke e mirëkuptuar që aktualisht një pjesë e këtij burgu vazhdon të shërbejë si institucion i ekzekutimit të vendimeve penale, shpallja muze kombëtar duhet të përfshijë vetëm ato pjesë të godinave dhe territorit që sot nuk janë funksionale.

Ngritja e këtij muzeu i shërben jo vetëm kujtesës historike për brezat e tashëm e të ardhshëm, por edhe nderimit të sakrificave e kujtimit të atyre qindra të burgosurve që kaluan vuajtjet më të tmerrshme, vetëm sepse kishin zgjedhur të mos nënshtroheshin, duke iu qëndruar besnik bindjeve të tyre deri në fund.