Sport

Çerekfinalet e Europa League-s, sot luhen katër ndeshje

Europa League arrin në fazën më kulmore. Rruga për në finalen e Gdanskut në Poloni, kalon nga kjo e enjte, në të cilën luhen 4 sfidat e para çerekfinale që do të transmetohen në ekranin e Supersport.

Vëmendjen më të madhe e merr sfida mes Ajax-it e Romës. Harkëtarët janë favoritë përballë një Rome që po has shumë vështirësi edhe në Serinë A, në javët e fundit.

Por vëmendje tërheq edhe dueli mes Granadas e Manchester United. Në të parën pjesëmarrje në kompeticionet europiane, spanjollët prekën fazën çerekfinale ndërkohë skuadra e Solskjaer-itr është favoritja e madhe për të ngritur trofeun e Europa League-s në këtë edicion.

Në “Emirates Stadium”, Arsenali pret një nga surprizat e këtij sezoni në Europa League, çekët e Slavias së Pragës. Për të bërë surprizën në Londër, ata do të kërkojnë të mbështeten edhe te cilësitë e ish-sulmuesit të Skënderbeut Peter Olayinka.

Një duel i paparashikueshëm është ai mes Dinamos së Zagrebit e Villarealit, me kroatët që eliminuan Tottenham-in e Mourinhos për të mbrritur deri në këtë fazë. Të katërta takimet e para çerekfinale nisin sonte në orën 21:00 dhe do të transmetohen live në kanalet Supersport, në Digitalb.