Sport

Eliminoi Liverpool, Gjimshiti shpallet lojtari i javës në Europa League!

Berat Gjimshiti zhvilloi një tjetër paraqitje mbresëlënëse me Atalanta-n në UEFA Europa League në sfidën e dytë çerekfinale ndaj Liverpool-it, aty ku skuadra e tij siguroi kualifikimin historik për në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni. Kontributi i kapitenit të Kombëtares shqiptare në prapavijë ishte i jashtëzakonshëm, duke ndalur aksionet e rrezikshme të lojtarëve të Liverpool-it dhe në fund u përzgjodh nga UEFA si lojtari më i mirë i sfidës.

Por jo vetëm kaq, pasi UEFA hapi votimin për të zgjedhur edhe lojtarin më të mirë të raundit të dytë të çerekfinaleve të Europa League, çmim që është fituar nga kapiteni i Kombëtares shqiptare. Gjimshiti ishte në garë me Jordan Veretout, Gianluca Mancinin dhe Matej Kovar që shkëlqyen me paraqitjet e tyre, por tifozët kanë përzgjedhur si lojtarin e raundit kapitenin e Kombëtares kuqezi.

Ashtu siç dëshmuan edhe miqësoret që sapo u mbyllën, minutat e aktivizimit dhe një formë optimale me klubet janë një faktor i rëndësishëm jo vetëm për të rritur kuotat në vlerësimin e trajnerit por edhe në paraqitjen në fushë me kombëtaren, me të gjithë futbollistët në xhiron e saj, që duhet të bëjnë sa më mirë të munden në një nga segmentet më të rëndësishme të karrierës në klubet respektive.

Shumicën absolute të tyre, duke nisur nga protagonistët e kolonisë kuqezi në Serie A Gjimshiti, Asllani, Ismajli, Bajrami, Ramadani, Kumbulla, Hysaj e Berisha, Brojën e Strakoshën, në Premier League, Uzunin apo Balliun në La Liga apo Kejdi Baren në Segunda Divizion, apo Gjasulën në Bundesliga do të mund t’i ndiqni në çdo ndeshje, çdo fundjavë në ekranin e SuperSport aty ku nuk do të mungojnë informcionet e detajuara, por dhe reagimet e çdo futbollisti në xhiron e kombëtares në çdo moment në edicionet informative e natyrisht dhe emisionin e dedikuar të përjavshëm Analizë Kuqezi.