Aktualitet

Ceremoni në Gjakovë për prezantimin e Abetares së përbashkët/Artan Fuga: Gafë!

Në Gjakovë, sot u prezantua Abetarja e përbashkët unike, në një ceremoni të veçantë ku morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila vlerësoi se abetarja “do të fshijë” kufijtë Shqipëri-Kosovë.

Ky është libri që do të na bashkojë më shumë dhe do të forcojë më shumë dashurinë për njëri-tjetrin. Edhe Faik Konica e ka thënë që në vitin 1906, e vetmja lidhje që i ka mbajtur të bashkuar shqiptarët ka qenë gjuha shqipe. Unë kam lindur e jetoj në Elbasan dhe për ne nuk ka krenari më të madhe se arsimi, gjuha shqipe, shkolla e parë normale, atdhetarët tanë të shquar Kostandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, Dhaskal Todri, i cili madje ishte dëshmori i parë i shkollës shqipe. Së fundmi, gjuha shqipe do të mësohet në universitetin e Harvardit, një arritje e jashtëzakonshme që konsolidon pozicionin e shqipes mes gjuhëve më të vjetra të botës.

Ndërkohë, kryeministri Kurti vlerësoi:

Sot në gjirin e barazisë dhe lirisë, kombin tonë e përbashkon edhe kjo abetare. Në ditë si këto duhet kujtuar puna dhe sakrifica e të gjithë atdhetarëve, intelektualëve të pathyeshëm, albanologëve të pakompromis, mësimdhënësve, studiuesve, kontribuuesve, burrave e grave që në kohët më të vështira e ruajtën gjuhën shqipe, e ruajtën pasurinë tonë të përbashkët.

Jam i lumtur që sot e kemi në duar këtë abetare për të cilën u zotuam me marrëveshjen e përbashkët nga mbledhja e dy qeverive tona. Me institucionet e Republikës së Shqipërisë kemi përgatitur edhe tekstin e nivelit të parë Gjuha Shqipe dhe kultura shqiptare kushtuar fëmijëve që jetojnë jashtë vendeve tona dhe do të shpërndahet po gjatë muajit shtator.

Vetëm bashkë krah për krah me njëri-tjetrin mund t’i shtyjmë përpara interesat tona për zhvillim e përparim në çdo fushë.

Ndërkohë, nuk mungojnë kritikët. Për akademikun Artan Fuga, “kjo është gafë”.

Postimi i plotë:

Çfarë gafe dhe budalliku ndërtimi i abetares të përbashkët Shqipëri-Kosovë! Habitem si ka rënë në këtë absurditet edhe zoti Kurti që mesa di ka studjuar edhe filozofi!!!

Patjetër midis Shqipërisë dhe Kosovës duhet të bëhet maksimumi për gjuhën tonë të përbashkët shqipe! Por tjetër është shqipja ta zemë në shkronja, rregulla gramatikore, etj., dhe tjetër një tekst i përbashkët abetareje që është krejt pa kuptim!

Tekstet e abetares duhet të jenë të larmishëm, sigurisht të aprovuar me kujdes, duke mbajtur shpirtin, frymën, normat themelore të gjuhës, shkronjat, por mësimi i abetares duhet t’i nënshtrohet edhe zonave, krahinave, dialekteve, traditave, në shembuj, theksime, ilustrime, me fjali ndërtuese, apart pedagogjik etj.

Shqipja është një, por mënyrat e inicimit në të mësuarin e gjuhës shqipe nuk janë një: Gjuhësia si filozofi nuk është një, ka strukutraliste, fenomenologjike, asinkronike, pozitiviste, gestaltiste, etj.

Si është e mundur jemi në mentalitetet e shekullit të 19-të dhe nuk kuptojmë që gjuha dhe shënjat që e materializojnë atë janë dy gjëra të ndryshme dhe mbi të gjitha tjetër është gjuha e përbashkët dhe krejt tjetër metodat e interpretimit të saj që janë të ndryshme, tjetër është gjuha dhe tjetër është një abetare që është mënyra si e mëson gjuhën!

Madje edhe për puristët: Nuk ka asnjë lidhje dëshira për gjuhë të unifikuar letrare te vocrrakët, me imponimin e një teksti abetareje të vetëm!

E njejta gjuhë, mund të mësohet me tekste të ndryshëm, sikurse i njejti mendim mund të shprehet me fjalë të ndryshme! Edhe abetaren e çentralizuam???

O Zot! Po si është e mundur? Kap kokën me dy duar dhe qaj!