Sot me rastin e Fitër Bajramit që festohet gjerësisht edhe në Kosovë, kryeministri Albin Kurti vizitoi Bashkësinë Islame ku uroi të gjithë besimtarët myslimanë, si dhe përkujtoi hoxhallarët që ranë dëshmorë në luftën e fundit.
Muaji i Ramazanit ishte muaj i sakrificës e solidaritetit dhe të gjithë e dimë nga përvoja dhe historia që solidariteti dhe sakrifica janë mirësi që sjellin mbarësi. Në këtë pranverë, për çdo ditë po përkujtojmë 25-vjetorin e masakrave të tmerrshme të kryera mbi popullin tonë, në vendin tonë, por njëkohësisht beteja të lavdishme të UÇK-së. Andaj me këtë rast duhen përkujtuar edhe 37 hoxhallarë, imamë që janë dëshmorë të kombit nga lufta e fundit. Lavdi të gjithëve atyre! Edhe një herë, Gëzuar Fitër Bajramin!
Bashkësinë Islame të Kosovës e vizitoi edhe Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, duke e vlerësuar për rolin e luajtur në kohë të rëndësishme për vendin. Po ashtu, e falënderoi për përkrahjen e dhënë ndaj familjeve në nevojë.
Isha këtu bashkë me bashkëpunëtorët, për të uruar kryemyftiun dhe bashkëpunëtorët e tij e nëpërmjet tyre edhe shumë qytetarëve të republikës sonë, për këtë festë të bekuar, për të thënë edhe njëherë që lutjet gjatë muajit të Ramazanit të jenë pranuar e për të falënderuar për rolin që Bashkësia Islame luan, në mënyrë që shteti ynë, qytetarët tanë të ecin përpara.
Unë dua t’i falënderoj për bashkëpunimin edhe kryemyftiun, edhe bashkëpunëtorët e tij që sfidat që ballafaqohet shteti ynë t’i tejkalojmë sa më parë dhe sa më mirë e të falënderoj për kontributin që kanë dhënë edhe gjatë muajit të Ramazanit, duke i dhënë përkrahje e ndihma të gjithëve atyre që kanë nevojë. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku, në të mire të qytetarëve tanë, në të mire të shtetit tonë të dashur!
Mjediset e Bashkësisë Islame të Kosovës nuk u vizituan vetëm nga zyrtarë të lartë të vendit e përfaqësues të politikës, por gjithashtu nga klerikë të lartë të besimeve të tjera fetare. Në emër të Kishës Katolike, Dodë Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës uroi Myftiun Tërnava dhe të gjithë myslimanët.
Tani jam këtu që të uroj kryetarin e Bashkësinë Islame, bashkësinë e të gjithë besimtarët për festën e Fitër Bajramit sepse dalin para një agjërimi që është një përpjeke për të mbizotëruar shpirti në të gjitha sferat e jetës dhe mbi trupin. Ne e urojmë njëri-tjetrin e bashkë ndajmë gëzimin e festave si vëllezër. Këtë zjarr dashurie e kanë ndezur të parët tanë dhe ne që moti. Por, ky nuk është një zjarr që nxjerr tym të bardh as të zi, por është një zjarr që përhap aromë dashurie, lirie, vëllazërimi, paqeje e mirësie.