Ceremonia e 95-të e çmimeve Oscar do të mbahet të dielën, më 12 mars 2023, në Teatrin Dolby në Ovation Hollywood dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në ABC. Gara për filmin më të mirë përmban dy filmat me fitimet më të larta të vitit, “Avatar: The Way of Water” dhe “Top Gun: Maverick”, së bashku me “Elvis”, një biografi muzikore që shënoi gola për audiencën verën e kaluar. Pretendentë të tjerë përfshijnë gjysmë-autobiografinë e Steven Spielberg “The Fabelmans”;”Tár”, një dramë për një dirigjent abuziv; “Women Talking”, një vështrim mbi banorët e një komuniteti represiv fetar; dhe “Triangle of Sadness”, një përmbledhje e një përqindjeje që shpaloset pjesërisht në një mega-jaht.
Ju rikujtojmë se ceremonia e plotë e ndarjes së çmimeve Oscar 2023 do të transmetohet të dielën drejtpërdrejt në kanalin e Top Channel me moderator Blendi Salaj dhe bashkë-prezantues Edea Demailaj dhe Edi Hallaçi, duke nisur nga ora 23:15. Ndërkohë dy moderatorët e “At The Movies”, Edea dhe Edi, na japin parashikimet e tyre se çfarë mund të ndodhë në Oscars dhe kush mund të triumfojë…
Edea Demaliaj
Filmi më i mirë/Të nominuarit: “Everything Everywhere All at Once”, “All Quiet on the Western Front”, “Avatar: The Way of Water”, “The Banshees of Inisherin”, “Elvis”, “The Fablemans”, “Tar”, “Top Gun: Maverick”, “Triangle of Sadness”, “Women Talking”.
Fitues: “Everything Everywhere All at Once”
11 nominime Oscar, çmime në katër kategoritë (SAG, PGA, DGA dhe WGA), 106 milion dollarë fitim global, qindra vlerësime marramëndëse nga kritikët janë vetëm fillimi i sukseseve për “Everything Everywhere All at Once”. Paçka se në pamje të parë gara duket e paparashikueshme duke konsideruar vlerësimet e kritikëve për “Tar”, “Women Talking” dhe “Banshees”, ose admirimin e publikut për “Elvis” si dhe suksesin komercial të “Top Gun Maverick” dhe “Avatar: The Way of Water”, skenari origjinal i “Everything, Everywhere All at Once” duket se ka ndryshuar kriteret e Oscars njëherë e përgjithmonë. Edhe pse filmi më premtues për një fitore të sigurt këtë vit padyshim ishte “The Fablemans”, ku ndërthurja mes historisë së një regjizori ikonik si Steven Spielberg me deklaratën e hapur të dashurisë për kinematografinë, duket sikur në ato minutat e fundit të garës gjithcka mori një kthesë duke lënë mbrapa atë fituesin për të cilin të gjithë kishim vënë bast. Një film me një skenar premtues i cili gjatë realizimit shndërrohet në 139 minutat më kaotike në jetën e shikuesit. I paparashikushëm, gjithpërfshirës në sensin e ndërthurjes mes multiversit kompleks dhe marrëdhënieve të thjeshta njerëzore nënë-bijë, burrë-grua, si dhe i prekshëm nga audienca për shkak të tematikave ëndërra-zhgënjime, diferenca mes gjeneratave si dhe nevoja e pamohueshme njerëzore për t’i përkitur diçkaje.
Aktorja më e mirë/Të nominuarit: Cate Blanchett, “Tár”, Ana de Armas, “Blonde”, Andrea Riseborough, “To Leslie”, Michelle Williams, “The Fabelmans”, Michelle Yeoh, “Everything Everywhere All at Once”.
Fituese: Cate Blanchett
Një parashikim i influencuar deri diku nga bindje e preferenca personale, ama besoj nuk jam e vetmja që mendon se Cate Blanchet është lindur për të luajtur rolin e Lydia Tar. Do doja që kjo analogji të ishte e imja, por regjizori Todd Field u tregua më i shkathët kur deklaroi se i gjithë skenari i filmit “Tar” u shkrua enkas për Cate Blanchett. Në momentin që një aktore paçka se njihet botërisht për dhjetëra role të ndryshme, shndërrohet në epitomën e kryefjalën e filmit, lehtësisht mund të themi se ka luajtur rolin e jetës. Një performancë drithëruese ku shkëlqimi e rënia e dirigjentes nga prestigji e mban audiencën të gozhduar, e herë herë duket sikur edhe ne po jetojmë në epifaninë kreative të Lydia Tar. Paçka se gara duket sikur është ngushtuar mes Yeoh dhe Blanchett, “Tar” rrotullohet tërësisht rreth studimit të karakterit problematik të dirigjentes narciste, ndaj do ishte deri diku shokuese të zbulonim se Cate nuk do të rrëmbente Oscar-in si aktorja më e mirë.
Regjizori më i mirë/Të nominuarit: Martin McDonagh, “The Banshees of Inisherin”, Daniel Scheinert and Daniel Kwan, “Everything Everywhere All at Once”, Steven Spielberg, “The Fabelmans”, Todd Field, “Tár”, Ruben Ostlund, “Triangle of Sadness”.
Fitues: Daniel Kwan and Daniel Scheinert
Besoj se flas për të gjithë kur them se Steven Spielberg nuk e kishte parashikuar suksesin e duos Daniel Kwan dhe Daniel Scheinert as në ëndrrën e tij më të keqe. “The Fablemans” për Spielberg është në sytë e mi si ai fëmija i artë që dikush lind mbas të 50-ave, pasi regjizori jo vetëm ndau historinë e tij personale por u angazhua edhe me fushatën për herë të parë në gjithë karrierën e tij. Por ka momente kur edhe pse mendon se i ke luajtur të gjitha kartat në mënyrën e duhur, gara ndryshon në çastet e fundit dhe çmimi më i madh i jetës mund të të rrëmbehet nga dy regjizorë të rinj të cilët nuk kanë as gjysmën e eksperiencës e as gjysmën e moshës së Spielberg. Paçka se “The Fablemans” i servir shijeve të mia personale një udhëtim të thellë e intim ku duket sikur jam dorë për dore me Sammy-n përgjatë zbulimit të dashurisë për kinematografinë e sekreteve familjare, “Everything Everywhere All at Once” më përball me mendimin kritik se ka versione të pafundme tonat në univers. Nëse “The Fablemans” është fItues në sensin që shikuesi ndihet pjesë e filmit, kryevepra e duos së Danielëve me skenat e shkurtra të miksuara në një lëmsh i cili duhet parë më shumë se njëherë për t’u dëshifruar, na bën të kuptojmë se mënyra si përthithim informacionin ka ndryshuar dhe me të jemi transformuar edhe ne.
Edi Hallaçi
Aktori më i mirë: Brendan Fraser (“The Whale”)
Gara e të nominuarve për aktorin më të mirë këtë vit është mjaft e veçantë pasi konkurrentët kanë performanca mbresëlënëse. Megjithatë duket se lufta do të përqëndrohet në dy konkurrentë, Brendan Fraser (“The Whale”), dhe Austin Butler (“Elvis”). Brendan është padyshim një prej aktorëve më të vlerësuar e karizmatikë që Hollywood ka njohur, por kësaj radhe na ka surprizuar të gjithëve. Shndërrimi i tij në një obez me peshë mbi 250 kilogram, nëpërmjet protezave të ndryshme fizike si dhe manipulimeve dixhitale por edhe për shkak të shtimit në peshë e bën atë një karakter shumë të veçantë e madje të rrallë. Në këtë film, regjisori Darren Aronofsky na sfidon që të shohim përtej idesë që ekziston mbi të bukurën dhe estetikën, duke na nxitur ta shohim të bukurën te zëri i butë i Charlie-t, tek eseja e tij e preferuar, te buzëqeshja e tij e ngrohtë, apo te shpirti i tij poetik.
Por Austin Butler është një konkurent i fortë gjithashtu. Aktori 31-vjeçar pranoi çmimin Golden Globe për portretizimin e tij të këngëtarit legjendar teksa fliste duke përdorur një theks të ngjashëm me atë të stilit të Elvis. Filmi është pritur mirë nga kritika dhe ka fituar tetë nominime për Oscar. Fansat ndanë konfuzionin e tyre në Twitter, me disa që goditën Austin për përdorimin e një theksi “të rremë”. 31- vjeçari, aktualisht është në një nga fazat më sfiduese të karrierës së tij dhe një vlerësim nga Akademia do të ishte kulmi i karrierës.
Filmi më i mire ndërkombëtar: “All Quiet on the Western Front”
Kanë qenë të lehta për parashikim, disa prej nominimeve për filmin më të mirë për çmimin Oscar të këtij viti. Për shembull, “Fabelmans” është letra e dashurisë për kinemanë e të nderuarit Steven Spielberg, kështu që kjo pritej. “Top Gun: Maverick” ishte një sukses komercial dhe kritik, kështu që mund t’ia dilte mbanë. Por, një film na ka befasuar të gjithëve.
“Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit” (“All Quiet on the Western Front”), përshtatur nga romani klasik i Luftës së Parë Botërore i shkrimtarit Erich Maria Remarque, pati shpërndarje të paktë nëpër kinema para se të transmetohej në Netflix. Rolin kryesor aty e ka aktori austriak Felix Kammerer, i cili kurrë më parë nuk ka qenë në ndonjë film, ndërsa regjisori Edward Berger shumicën e punës e ka bërë në televizion. Është po ashtu film gjerman dhe asnjë film i mëparshëm gjerman nuk ka qenë ndonjëherë në garën për filmin më të mirë ndërkombëtar. Shumë kritikë prisnin që “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit” do të dalë në listën e filmave më të mirë ndërkombëtarë, por jo vetëm që ka marrë nominimin për filmin më të mirë, por u fut edhe në tetë kategori të tjera. Dhe, më pas fitoi çmimin si filmi më i mirë në BAFTA, kështu që një film fillimisht i anashkaluar u bë shumë i preferuar. Paraqiste tronditje më e madhe për çmimet Oscar sesa kur Will Smithi e goditi Chris Rock-un më 2022.
Jemi mësuar në histori se si gjermanët ishin gjithmonë të këqijtë gjatë Luftës së Parë Botërore. Ky film do t’ju tregojë përmes djersës, gjakut, lotëve dhe vdekjes sesi vdiqën të pafajshmit në mënyrë që të pasurit të kishin lavdinë e tyre. Ky film nuk do t’ju lërë me një ndjenjë të lumtur. Do t’ju lërë bosh dhe do të ndiheni të tradhtuar. Filmi do të heqë deri në kockë moralin duke treguar jo vetëm një kanavacë bardh e zi, por plot ngjyra, hipokrizi dhe në fund të fundit natyrën njerëzore në të mirën dhe më të keqen e saj. Kështu, duke na lënë një paralajmërim dhe njohuri për luftën e përgjakshme në Ukrainë, se vdekjet nuk janë gjëra për t’u gëzuar, qoftë nga pala ukrainase apo nga ato ruse.
Filmi më i mirë i animuar: “Pinochio”
Regjisori fitues i Oscar-it Guillermo Del Toro ka prezantuar Pinokun në një mënyrë krejtësisht të re në filmin e animuar “Pinoku” dhe më lejoni t’ju them se nëse mendoni se e njihni këtë përrallë, nuk keni pare ende asgjë. Bazuar në përrallën klasike të Carlo Collodi, ngjarja zhvillohet në vitin 1930 gjatë kohës së ngritjes së fashizmit në Itali.
Tom Hanks është Gepetto, marangozi më i ëmbël që dëshiron të ketë një djalë. Cynthia Erivo, Zana Blu plotëson dëshirën e tij dhe i jep jetë Pinocchios prej druri. Por tërësisht ndryshe nga Pinochio i Disney me të cilin u dashuruam si fëmijë, kësaj radhe do të kemi mundësinë të ndjekim hap pas hapi historinë e Geppeto-s si dhe të vërtetat e errëta e një babai i cili pas humbjes të së birit shpreh një dëshirë e cila kthehet në realitet.