Aktualitet

Deklarata Individuale e të Ardhurave, në mesnatë mbyllet afati!

Sot në mesnatë, në vendin tonë mbyllet afati për deklarimin dhe pagesën e Tatimit mbi të Ardhurat Personale me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2021. Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, që rikujton individët rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2021 kanë pagë bruto vjetore mbi 2,000,000 lekë apo ata, të cilët janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit, të plotësojnë “Deklaratën individuale vjetore të të ardhurave”, si detyrim ligjor i individit, subjekt i deklarimit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Administrata Tatimore detyrimin për të plotësuar DIVA-n për vitin 2021 e kanë në total 82 mije e 178, nga të cilët 13 mijë e 521 individë me të ardhura mbi 2 milion lekë dhe 68 mijë e 657 individë të dypunësuar.

Referuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nuk janë deklarues të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave kategoria “i vetëpunësuar” (me të gjitha kategoritë e të vetëpunësuarit) dhe i punësuar në një subjekt (person fizik apo juridik) në të cilin përfiton të ardhura nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet e punës, pasi kategoria “i vetëpunësuar” ka detyrim vetëm pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe ka të përcaktuar në listëpagesë vlerën zero në rubrikën “Paga bruto”.

Deklarimi i të ardhurave, përveçse është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.  Sipas raportit vjetor të tatimeve, individët me paga të larta dhe të dy punësuarit, përveçse paguan taksat e pagave në pagesat e tyre mujore, u paguan tatimeve gjatë vitit 2021 për deklarimet e vitit 2020 edhe rreth 1 miliard lekë (8 milion euro) të tjera në formën e TAP. Në total, pagesa me bankë për “Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave” (DIVA) nga lista e të dy punësuarve ishte rreth 460 milion lekë ose afro 3.7 milion euro, sipas raportit vjetor 2021 të Tatimeve.