Bota

Dëmton shatërvanin e Poseidonit në Firence, turistin e gjen belaja!

Një gjobë prej 5 mijë eurosh do të duhet të paguajë një turist 22-vjeçar, i cili gjatë natës së kaluar është ngjitur në shatërvanin e Poseidonit, në pjesën më qendrore të Firences, për të bërë një “selfie”. Në fillim, statuja dukej e padëmtuar. Megjithatë, pas një ekzaminimi të kujdesshëm, u konstatua se për shkak të peshës së turistit, një pjesë e vogël e këmbës së kalit të Poseidonit, brenda shatërvanit, ishte shkëputur.

Zyrtarët komunalë me pamjet nga kamerat e sigurisë kanë arritur të identifikojnë përgjegjësin, i cili tashmë akuzohet për shkatërrim dhe dëmtim të trashëgimisë kulturore të vendit. “Përgjegjësit të këtij akti i mungon krejtësisht ndjenja e respektit për kulturën dhe bukurinë, që duhet të karakterizojë këdo që vendos të vizitojë vendin tonë. Incidente të tilla duhet të ndalen dhe shumë shpejt Parlamenti i Romës do të miratojë një ligj për rritjen e dënimeve të parashikuara”,-tha ministri italian i Kulturës, Gennaro Sangiuliano.