Bota

Dënohet me 25 vjet burg një gazetar ruso-britanik, kritik i Kremlinit!

Dënohet kritiku i Kremlinit. Gazetari Vladimir Kara-Murza, shtetas ruso-britanik do të vuajë 25 vjet heqje lirie për tradhti dhe të tjera vepra penale, të cilat i hedh poshtë. Një gjykatë në Moskë sot shpalli vendimin, më shumë se një vit nga arrestimi i Kara-Murzës për përhapje të “informacioneve të rreme” për forcat e armatosura të Rusisë.

Ky përbën dhe një nga dënimet më të ashpra të një shtetasi rus, i cili është shprehur kundër luftës së Kremlinit në Ukrainë. Edhe qeveria britanike dënoi vendimin e dhënë nga drejtësia në Rusi. Për Londrën zyrtare, rasti ndaj 41-vjeçarit, baba i tre fëmijëve është “i motivuar politikisht”. Në një deklaratë të qeverisë britanike thuhet:

Vladimir Kara-Murza ka dënuar me guxim pushtimin rus të Ukrainës për atë që është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, OKB-së. Mungesa e angazhimit të Rusisë për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut, duke përfshirë këtu lirinë e shprehjes është mjaft alarmante.

Gazetari Vladimir Kara-Murza, i njohur si kundërshtar i zëshëm i qeverisë aktuale ruse shprehet i bindur se u burgos në lidhje me pikëpamjet e tij politike, që janë kundër luftës së Moskës në Ukrainë dhe kundër “diktaturës së presidentit rus, Vladimir Putin”.

Jo vetëm që unë nuk pendohem për asnjë nga këto, por jam edhe krenar për të gjitha. Pres me padurim ditën kur ata që e ndezën këtë luftë dhe jo ata që u përpoqën ta ndalin, të njihen si kriminelë.

Rusia ka miratuar një ligj që kriminalizon përhapjen e “informacionit të rremë” për ushtrinë e saj, menjëherë pasi nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Vladimir Kara-Murza është më i fundit në mesin e disa aktivistëve të opozitës ruse, reporterëve e të tjerë personave që janë arrestuar e ndjekur penalisht në bazë të këtij ligji.