Bota

Ditë zie në Rusi në nderim të viktimave të sulmit të 22 marsit në Moskë!

Sot në Rusi është ditë zie, në nderim të mbi 130 viktimave të atentatit të përgjakshëm terrorist të mbrëmjes së 22 marsit, në një sallë koncertesh në periferi të Moskës. Një komando prej katër personash të maskuar e të armatosur rëndë, hapën zjarr dhe më pas i vunë flakën godinës që në pak minuta u përpi nga zjarri. Sulmin terrorist e mori përsipër një degë e ISIS-it që lufton për krijimin e një kalifati duke bashkuar pjesë të Iranit, Afganistanit e Pakistanit, si dhe ish-republikat sovjetike Turkmenistan, Taxhikistan e Uzbekistan.

Sipas Moskës, para arrestimit, atentatorët tentuan arratisjen drejt kufirit me Ukrainën dhe rusët treguan gishtin e akuzës ndaj vendit fqinj ku luftojnë prej mbi dy vitesh tashmë. Një variant absurd sipas Kievit, që në fakt i druhej mundësisë që Rusia ta shfrytëzonte sulmin terrorist si një pretekst për të përshkallëzuar shkallën e agresionit në Ukrainë. Menjëherë pas sulmit, Kievi zyrtar u distancua nga çdo përfshirje, duke vënë në dukje se me Rusinë përballen vetëm në fushë-betejë.

Për Ukrainën, nuk ka asnjë kuptim që agresorët të tentonin largimin për në territorin ukrainas siç pretendon Kremlini. Me një vijë kufitare të blinduar nga kontrollet e rrepta ushtarake, çdo përpjekje për të kaluar në Ukrainë, sipas një zyrtari të Inteligjencës ushtarake të këtij vendi do të tregonte se ata ishin “budallenj, kamikazë ose të gatshëm të kapeshin”. Të arrestuarit janë shtetas taxhikë e njëri prej tyre tregoi se ra dakord të paguhej 5 mijë euro për sulmin në Moskë. Gjysmën e shumës e kishte marrë paradhënie.

Presidenti rus, Vladimir Putin e dënoi ashpër sulmin dhe u zotua që personat e përfshirë të ndëshkohen. Në një fjalim të regjistruar paraprakisht e të publikuar nga Kremlini rreth 18 orë pas sulmit të 22 marsit, Putin e ka përshkruar dhunën si “sulm terrorist të përgjakshëm dhe barbar”.

Gjëja kryesore tani është që të parandalojmë ata që janë pas kësaj gjakderdhjeje nga kryerja e një krimi tjetër.

Ky sulm rezulton më i rëndi në Rusi në gati dy dekada. Analistë politikë shprehen se tendenca e Putinit për të forcuar një shtet policor e ka bërë vendin që udhëheq prej gati 25 vjetësh, më të cënueshëm prej sulmeve terroriste.