Aktualitet Lajmet e fundit

Dështon operacioni i RENEA-s për kapjen e Eljon Hatos në Shkodër, i vëllai akuzon policinë!

Një operacion i policisë dhe forcave RENEA në Shkodër ka dështuar për kapjen e Eljon Hatos i shpallur në kërkim si i dyshuar në dosjen “Metamorfoza”, mik i Ervis Martinajt, me të cilin mbetën të plagosur në ngjarjen në ish-Bllok në vitin 2018.

Operacioni nuk u finalizua, pasi Hato nuk ndodhej në atë banesë. Shtëpia ku u bë kontrolli është e vëllait të Eljon Hatos, shtetasit Elkier Hato.

Ai ka akuzuar shefin e komisariatit të Policisë së Shkodrës Idriz Daulle si i paguar nga grupe kriminale për të dëmtuar familjen Hato.

39-vjeçari Elkier Hato thotë se efektivët kanë zhvilluar një kontroll të dhunshëm në banesë si asnjëherë më parë dhe sipas tij pa mandat kontrolli ndërsa kanë qëlluar me armë zjarri ndaj qenve në oborrin e shtëpisë në të cilën nuk ndodhej askush.

Elkier Hato thotë se është detyruar që të largohet nga ajo banesë për shkak se shpesh herë familja e tij është terrorizuar nga kontrollet e policisë.

39-vjeçari ka frikë se dikush nga efektivët që mund të jetë i paguar nga grupe kriminale mund ta vrasë në aksion e sipër ndaj nuk ka besim tek shteti.

Hato thotë se nuk e ka idenë se ku ndodhet vëllai i tij që është i shpallur në kërkim si i dyshuar në dosjen “Metamorfoza” dhe shton se nuk dorëzohet pasi edhe i vëllai nuk ka besim tek policia.

“Vëllai im nuk dorëzohet për të vetmen arsye se nuk ka besim. Janë çuar ta dëmtojnë me kohë por nuk ia kanë arritur qëllimit. Nuk e di se dora e kujt është duke vepruar përmes shtetit sidomos tek shefi i komisariatit. Kam një thirrje për shefin e komisariatit që ta ulin vrullin se nuk bëhet kjo që ka bërë ai përmes policëve. Se prej kujt është i paguar dhe i shtyrë këtë nuk e di. Do ja thosha edhe ndër sy nëse ballafaqohem me të. Më është shmangur dhe më kanë lënë nga 2 orë kot në komisariat, procedurë, procedurë”, – deklaroi Elkier Hato për mediat.

Forcat e policisë së Shkodrës dhe RENEA u desh të hipin mbi muret rrethuese dhe të presin telat me gjemba që rrethojnë këtë shtëpi ku mendohej se strehohej Eljon Hato por u larguan pasi aty nuk ndodhej askush. Ajo që lanë pas janë një qen i vrarë dhe një tjetër i plagosur.

Eljon Hato është një personash me rekorde kriminale, pasi ka qenë i përfshirë në vrasjen e bujshme në zonën e ish-Bllokut në Tiranë në vitin 2018, ku mbeti i vrarë një person.

I konsideruar si mik i të zhdukurit Ervis Martinaj, Eljon Hato mbeti i plagosur në përplasjen me armë brenda lokal “Monopol” ku u vra Fabiol Gaxha. Ai u arrestuar nga policia për këtë ngjarje, por pas disa kohësh u la i lirë.

Më 12 maj të vitit 2014, Eljon Hato, asokohe 24 vjeç nën efektin e alkoolit ka vrarë një moshatarin e tij pas një sherri banal.

Hato u shpall në kërkim vitin e shuar nga policia, pasi emri i tij figuron në dosjen “Metamorfoza”, si i dyshuar në përfshirjen e tij në një grup kriminal që merrej me trafik droge, vrasje dhe zhvatje, mes të cilëve edhe kishte policisë, prokurorë dhe bosi i lojërave të fatit, Ervis Martinaj.