Aktualitet Politikë

Dhuna barbare në Krujë, shkarkohet Bledi Çuçi, Taulant Balla në krye të Ministrisë së Brendshme/Nesër propozimet te Presidenti i Republikës!

Ndryshime në qeveri, Bledi Çuçi u shkarkua nga kryeministri Rama dhe nuk do të jetë më ministër i Brendshëm. Taulant Balla në vend të tij, për herë të parë në një post qeveritar. Kjo pas ngjarjes së rëndë me guroren e Rrajave në Borizanë të Krujës dhe që çoi në dhunën barbare ndaj dy kushërinjve Bilbil e Jashar Maja, të cilët ishin ankuar për dëmet e shkaktuara prej kësaj guroreje në pronësi të të afërmit të Rrahman Rrajës, i cili dje njoftoi dorëheqjen si deputet i Partisë Socialiste. Me sende të forta, përfshirë shkopa bejsbolli, ata u goditën në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë ku kishin shkuar për një takim me inxhinierin e gurores që shpërthimet të ishin më të kontrolluara, por më pas mësynë dhunuesit. Mes katër personave në kërkim është djali i deputetit të dorëhequr, Rexhep Rraja. Po ashtu janë dy xhaxhallarët e tij Flamur e Xhelal Rraja.

Në një postim në Twitter, kryeministri Rama njoftoi:

Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të  Republikës propozimet e mëposhtme! Falënderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtet ndërtuese në çdo drejtim.

Çuçi falënderoi kryeministrin, siç u shpreh “për besimin dhe mbështetjen e  dhënë këto dy vite e gjysmë në detyrën e vështirë të Ministrit të Brendshëm”.

Për mua ka qenë nder dhe përgjegjësi e madhe të ushtroja këtë funksion të lartë publik dhe shumë të rëndësishëm.

Prej ditës së parë kur e mora atë detyrë e deri më sot kam punuar e shërbyer me integritet dhe bashkë me skuadrën e Ministrisë së Brendshme kemi adresuar shumë sfida që lidhen me sigurinë, rendin publik,  emigracionin, gjendjen civile dhe pushtetin vendor.

Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që ishin krah meje në këtë rrugëtim sfidues. Suksese Taulantit në sfiden e re, për të vijuar me reformat transformuese në këtë ministri e veçanërisht në Policinë e Shtetit.

Opozita nuk pajtohet me emrin e Taulant Ballës në krye të dikasterit të Brendshëm. Kryetari i grupit demokrat, Gazment Bardhi thotë se “dorëzimi i Ministrisë së Brendshme në duart e krimit të organizuar është kapitullim i shtetit”.

Botërisht dihet që Ministrat e Brendshëm emërohen për të luftuar krimin e organizuar. Vetëm në Qeverinë e Edi Ramës ndodh që emërohen për të forcuar dhe konsoliduar lidhjet mes krimit të organizuar dhe qeverisjes.