Celebrities Dilema Sociale Gossip Lajmet e fundit Showbiz

Dilema Sociale – Rrugëtimi i sezonit të parë i mëdyshjeve të shoqërisë shqiptare

Votuar programi më i shumëpritur radiofonik që këtë fundmuaji mbyll siparin e sezonit të parë të tij. Drejtuar nga Eno Popi, në këtë program për muaj të tërë u trajtuan tema aktuale dhe mëdyshje shoqërore me shpresën që gjatë disktimeve të gjata në studion e TAR, t’u jepet atyre një grimcë zgjidhjeje.

Nga tema si pandemia e COVID-19, rrjetet sociale, politika e të rinjve dhe të vjetërve, votimet në Shqipëri, memoria kolektive, besimi fetar, taksa e dypunësimit, atdhe-dashuria, teoritë konspirative e deri tek rrëfimet personale të personazheve të famshëm në Shqipëri, ky program gati gati ngjason me një audio-serial që i mbajti dëgjuesit të gozhduar pranë radios. Në këtë artikull po ju rifreskojmë kujtesën me disa nga momentet më të bukura të sezonit dhe cilët janë të ftuarit që u rrëfyen në këtë program pa filtra apo fanatizëm.

Ndër episodet e para të transmetuara u diskutua rreth fenomenit, “Fake News” që ashtu si në shumë vende të botës ndodhi rëndomë edhe në Shqipëri. I ftuar në studio ishte Alfred Cako, konspiracionisti famëkeq, publicisti i mirënjohur shqiptar i cili u shpreh se shqiptarët tërhiqen nga lajmet e rreme njësoj si delet që shkojnë pas tufës. Gjatë intervistës krah Eno Popit, ai rrëfeu se shpeshherë sulmohet për opinionet e tij apo teoritë që i thotë hapur në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë. Në “Dilema Sociale” ai zbuloi se cilët kanë qënë njerëzit që e kanë sulmuar publikisht. Nga Mustafa Nano, Dritan Hila apo Ylli Rakipi. Ata e kanë quajtur Cakon një të sëmurë që duhej mbyllur në katin e tretë të pavionit të çmendinës, sepse po të ishte në katin e parë ose të dytë do të dilte dhe do të shkatërronte popullin.

Gjatë goditjes së vendin tonë nga vala e dytë e pandemisë ato që menjëherë tërhiqnin vëmendjen tonë ishin rrëfimet e personazheve të famshëm të cilët rrëfenin historinë e tyre të infektimit me COVID-19. Ndër to ishin dhe Alketa Vejsiu dhe Eliza Hoxha. Dy vajzat e ekranit folën për stigmatizimin e situatës së tyre gjatë periudhës kur pranuan publikisht se ishin infektuar. Alketa tregoi përse njerëzit nuk e besuan se ajo ishte prekur nga virusi ndërsa Eliza u shpreh se pas infektimit, njerëzit nuk e trajtonin më njësoj.

“Shkunde Votën”, ishte një ndër temat që i parapriu zgjedhjeve të 25 Prillit në Shqipëri ku një ndër të ftuarit në studio ishte dhe Grida Duma e cila ngriti shqetësimin se jeta vemtitare e të rinjve shqiptarë po i largon ata nga detyrimet shoqërore. Nisur nga BERZH-i që thotë se rinia shqiptare është indiferente për t’ju drejtuar kutive të votimit, ndërkohë flamurin e pjesëmarrjes në zgjedhje e mbajnë moshat mbi 55-vjeç. Indiferenca e të rinjve për të dalë në zgjedhje ka shumë arsye, por më kryesorja mesa duket është zhgënjimi nga politika. Grida renditi një sërë faktorësh përse po ndodh ky fenomen në Shqipëri dhe përse nuk duhet të demoralizohemi por të qëndrojmë të vëmendshëm në atë se çfarë po ndodh në vendin tonë. Për më shumë ndiqni intervistën e plotë.

Një ndër debatet më të ashpra në studion e TAR u zhvillua gjatë diskutimit të temës së këngëve patriotike ku të ftuar ishin Robert Aliaj dhe Adelina Ismaili. Ky i pari u shpreh se këngët patriotike janë një turp i madh, një poshtërsi që vjen si nevojë për t’u servilosur duke i krahasuar ato me tallavë. Ndërkohë këngëtarja e famshme shqiptare u shpreh se dikur edhe ajo bënte këngë patriotike por hoqi dorë nga to pasi kuptoi se këngëtarët po bënin para me këto këngë në Zvicër. Gjatë këtij diskutimi, le të mos harrojmë se Adelina rrëfeu për herë të parë se do të shkëputej nga muzika për t’ju përkushtuar një tjetër profesioni, moderimit.

Trashëgimtarja e Top Media-s, Lori Hoxha ka treguar për “Top Albania Radio” rrugëtimin për të të krijuar një identitet të sajin. Lori u rrëfye rreth dy rrugëve paralele që janë të pashmangshme të mos takohen bashkë gjatë jetës së saj, pra “emri dhe mbiemri”. Gjatë diskutimit për angazhimet e saj personale, përveçse bashkëpunimit të fundit me markën e veshjeve Cohl’s, Lorit iu desh të prekte pak edhe temën e humbjes së babait. Ajo  ka treguar se është shumë e dhënë pas njerëzve të saj të dashur, qoftë familjes, shoqërisë, por edhe për marrëdhëniet romantike. Ajo është e gatshme të dorëzojë zemrën e saj tek ata që e duan, të jetë e gjitha për ta… Edhe pse dashuria e babait është e parikuperueshme për të, Lori ka ditur si të qëndrojë e fortë, të bëhet një motivim dhe shembull për të gjithë, gjithashtu me emrin e saj të bëjë krenarë mbiemrin që trashëgon.

Rikthimi i Bojken Lakos në TAR na bëri të gjithëve nostalgjikë. Ai nxorri mallin e radios, vendi ku për të nisi gjithçka dhe u bë zanafilla e karrierës së tij 25-vjeçare.  Një ndër njerëzit që ai e kujtonte me më shumë mall është edhe Dritan Hoxha, themeluesi i ndjerë i Top Medias, të cilin e konsideroi një njeri të jashtëzakonshëm. Bojkeni, gjithashtu tregoi për planet e tij të ardhshme dhe qendrën kulturore që pritet të hapë.

Tema e virtualitetit, që mund të themi me plot gojë është ndër më të diskutuarat në ditët e sotme ka patur të ftuar personazhe të njohur që nga Dalina Buzi, Holta Shupo, Edi Manushi dhe në fund nuk mund të mungonte një figurë shumë e ndjekur në Instagram me një përmbajtje ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim, Megi Pojani. Ajo nuk ka lënë pa hedhur një “thumb” për vajzat, të cilat ekspozohen në rrjete sociale.  “Shumë vajza tentojnë të bëjnë famë vetëm prej fotove dhe janë shumë të mërzitshme sepse nuk kanë asgjë tjetër për të dhënë nga vetja, përveçse ekspozimit.”

Eno Popi me COVID-19, tregon eksperiencën e tij nga shtëpia në një episod si asnjë tjetër deri tani. Ndoshta diçka e papërsëritshme që mund të ndodhë pas një tjetër shekulli. Gjatë kohës së izolimit Eno rrëfeu se si po i përjetonte ditët me COVID dhe zbërthen mendimet e tij në këtë situatë të vështirë. Gjithashtu ai tregoi se pavarëisht kujdesit, arriti t’ja transmetojë virusin babait të tij.

A është gjunjëzuar besimi në Zot?! Kjo me siguri ka qënë një ndër diskutimet më të thella në “Dilema Sociale”, një temë që na ka futur të gjithëve në mendime. Në situata kaq të vështira të muajve dhe viteve të fundit, sidomos në Shqipëri, kanë ruajtur shqiptarët në shpirtin e tyre një grimcë besimi? Për këtë gjë foli gjerë e gjatë për mikrononin e TAR, Pastor Fitor Muça. Kjo temë u nxit nga ngjarjet e vështira që na kanë ndryshuar rrjedhën e jetës si tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019-të, pandemia e COVID-19, varfëria ekstreme apo dhe agresiviteti i fushatave elektorale në vend.

Në një kohë kur është më e nevojshme se kurrë të kemi një punë, të rinjtë shqiptarë mesa duket dorëzohen dhe preferojnë të rrinë në kafene sesa të punojnë. Të paktën i këtij mendimi ishte Arbër Çepani i cili për herë të parë pranoi publikisht se në një nga bizneset e tij kishte punësuar të rinj nga Filipinet pasi ata shqiptarë nuk kanë dëshirën dhe energjinë e duhur. Deklarate e tij u bë virale në rrjet duke u diskutuar dhe komentuar pa fund. Si një individ i cili gjithmonë ka punuar fort dhe i është përkushtuar pa kompromise karrierës së tij, Arbri u shpreh se ka shumë arsye përse të rinjtë në Shqipëri janë të demoralizuar sa i përket punës. Arbri theksoi se ka një mungesë të madhe përkushtimi të të rinjve, kjo pasi janë të verbuar nga shembujt negativë që tregojnë se të bëhesh milioner ndodh edhe brenda natës.

Krahas gjithçkaje që po ndodh në Shqipëri, të cilat i përmendëm dhe pak më lart, i shtojmë këtyre edhe thashethemet e pafundme të fenomenit “Për’puthen”. Të gjithë ne, shumë apo pak jemi bërë pjesë e këtij reality-shoë i cili këtë sezon nuk erdhi vetëm me disa të rinj që janë në kërkim të dashurisë, por edhe intrigat, sherret, tradhëtitë dhe gënjeshtrat e tyre na u servirën çdo ditë në ekranin e Top Channel. Lidhur me këto Eno ftoi në studio moderatoren Bora Zemani e cila më në fund na shuajti kureshtjen nëse ky program është apo jo me skenar.

A duhet të kemi besim tek të rinjtë në politikë? Kjo ishte një temë ku të ftuar ishin Oriela Nebijaj dhe avokati i mirënjohur Spartak Ngjela. Ori dha intervistën e saj të parë eksklizve para zgjedhjeve të 25 prillit ku kandidonte për deputete krah Partisë Demokratike. Teksa ajo u shpreh shumë optimiste për të rinjtë në politikë, Ngjela nga ana tjetër mendon të kundërtën duke thënë se ata nuk kanë karakterin e duhur për t’ju kundërvënë liderit.

Nacionalizmi i tepruar jo vetëm i shqiptarëve, Marin Mema i zbulon të gjitha në “Dilema Sociale”. Gazetari i mirënjohur i Top Channel zbuloi disa të vërteta mbi nacionalizmin grek dhe sesa ekstrem i duket kjo gjë që gjithashtu ndikon tek njerëzit me anë të medias. Mema tregoi se fatkeqsisht ata e shohin gjithçka në mënyrë ekstreme, një nacionalizëm të pashpjegueshëm duke i mos lejuar dikujt ndjesitë personale, qofshin të mira apo të gabuara. Ata gjithashtu duket se kanë shumë probleme në raport me të vërtetën, e mohojnë atë. Ai shprehu se ka hasur probleme në Greqi prej dokumentarësh të ndryshëm.

Analiza e zgjedhjve parlamentare në Shqipëri nga Blendi Salaj dhe Ervin Goci ishte ndër një temat më aktuale që prej muajsh ishte bërë kryefjala e medias dhe jetës sonë të përditshme. Ata na dhanë parashikimet e tyre për rezultatin e zgjedhjeve, zbuluan nëse sondazhet politike janë të vërteta dhe sa ndikojnë në rezultatin përfundimtar dhe e fundit por jo më pak e rëndësishmja, a ishin zhgënjyese zgjedhjet e 25 Prillit në vend.

Si do të ndikojë sistemi i taksimit të dyfishtë në jetën tonë. A është e drejtë të paguajmë dy fish taksa nëse jemi të dypunësuar, a ishte i qëllimshëm ky sistem dhe përse nuk duhet të ishte aplikuar tani. Enio Civici dhe Zana Guxholli sollën argumeta të forta kundër taksës së dypunësimit.

Duke mbyllur një sezon të suksesshëm të “Dilema Sociale”, përgjatë verës do të mbeteni nën shoqërinë e të tjera programve të Top Albania Radio, me siguri për t’u rikthyer në vjeshtë me të tjera surpriza pasi radio nuk ndalon kurrë!