Dita e 8

“Dita e 8” bën bashkë të gjithë krerët më të lartë fetar në një program kushtuar njeriut!

Nisi sonte programi radiofonik ‘Dita e 8’ nën moderimin e pastorit, Akil Pano.

Tema e diskutimit ishte fitorja e njeriut në zgjedhjet e 25 prillit. Zgjedhjet e para në sytë e një kleriku. Si e vlerëson një hoxhë apo një prift përfaqesuesin e tij në parlament?!  Çfarë sheh ai më shumë te një politikan?

Nga fjalët e deri tek intelekti dhe virtytet e tij. Pse duhet një qytetar të shkojë të votojë të dielën? A do të fitojmë në këto zgjedhje njeriun?!

Të gjitha këto pyetje morën përgjigjen në programin ‘Dita e 8’ nga drejtues te besimeve fetare në Shqipëri, Monsinjor George Frendo – Arqipeshkv Kisha Katolike, Baba Edmond Brahimaj – Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Hirësi Andon Merdani – Peshkop, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Pastor Fitor Muça – Kisha Rindja, ish Kryetar VUSH, nën moderimin e Pastor Akil Panos.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike në Top Albania Radio, Monsinjor George Frendo bën thirrje se politikanët duhet të jenë afër popullit gjithmonë, jo vetëm për zgjedhje.

Ndërsa, Baba Mondi iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të shkojnë të votojnë të dielën për të ardhmen e tyre.

Hirësi Andoni theksoi se njerëzit që besojnë tek Zoti kanë integritet dhe se të gjithë besimtarët duhet të votojnë persona të tillë.

Pastor Fitor Muca është i mendimit se vota nuk duhet shitur sepse nëse shet votën, atëherë nuk kërkon dot llogari.

Në shoqërinë tonë jemi mësuar të shohim udhëheqësit fetar, t’i trajtojnë çështjet e integritetit moral brenda shtëpisë së komunitetit të besimit. Kur ky komunikim vjen në kontekstin shoqëror dhe politik, përmes deklaratave apo ligjërimeve veçanërisht gjatë fushatave elektorale, merakosemi se mos feja ka dalë jashtë fushës së saj të veprimit, duke trajtuar çështje të cilat nuk i takojnë, e keshtu na humbet laicizmi që duam.

Shkrimtari, filozofi dhe kritiku i artit Britanik, Chestertoni i njohur si ‘Princi i Paradoksit’ ka thënë diçka me vlerë, të cilën Akil Pano e ndau me dëgjuesit e radios:

Braktiseni fenë nëse dëshironi.  Hidhni gjithçka mbi qeverinë laike nëse dëshironi.  Por mos u habisni nëse një makineri që kurrë nuk kishte për qëllim të bënte asgjë tjetër përveç sigurimit të mirësjelljes dhe rregullit të jashtëm nuk arrin të sigurojë ndershmërinë dhe paqen e brendshme.

G.K Chesterton

E pra, për këtë ndershmëri dhe integritet moral si një prej përbërësve më të rëndësishëm në jetën e njeriut, qoftë ky politikan, apo artist, njeri i biznesit, apo punonjës i administratës, bashkëshort, apo prind, kjo ishte gjithçka që Pastori Akil Pano trasmetoi nëpërmjet mikrofonit të TAR.

Mos harroni të ndiqni ‘Dita e 8’ moderuar nga Pastori Akil Pano, çdo të mërkurë, ora 20:00-22:00.