Aktualitet Rajoni

Dita e dytë e turit rajonal të kryeministrit Rama/Ndalesa në Sarajevë, Podgoricë e Beograd!

Sot në ditën e dytë të turit rajonal kushtuar Procesit të Berlinit e që në tetor zhvillon samitin në Tiranë, kryeministri Rama ndalet në Sarajevë, Podgoricë e Beograd, për takime me liderë të Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi e Serbisë. Një ditë më parë ishte në Shkup e në Prishtinë, ku Albin Kurti nuk e priti në takim, edhe pse u firmosën marrëveshjet Shqipëri-Kosovë.

Kryeministri vuri në dukje se nuk ka gjë personale me Kurtin, por se nuk pajtohet me politikat e fundit të shefit të qeverisë së Prishtinës.

Kjo politikë është bërë pengesë, politika e gabuar, nuk e kam fare me personin. Nuk e godas kryeministrin Kurti. Unë mbaj qëndrim ndaj politikës së caktuar. Nuk kam asgjë personale. E kam mik dhe është njeri me të cilin debatoj me kënaqësi.

Një ditë më parë, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan 13 marrëveshje, memorandume bashkëpunimi e deklaratë. Zyra e Kryeministrit në Kosovë njofton se gjatë dy viteve të fundit janë mbajtur dy mbledhje të qeverive në të cilat janë sigluar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore e ndërinstitucionale. Kësaj here, edhe pse pa mbledhje të dy qeverive, u nënshkruan 13 të tilla që mbulojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, nga siguria e drejtësia deri te arsimi dhe kultura.

Me qëllim krijimin e një hapësire të lirë për ndërveprimin e njerëzve, ideve, kapitalit dhe fushave të tjera të përbashkëta, si dhe për të siguruar një perspektivë më të mirë për shtetasit e dy vendeve, është nënshkruar marrëveshja për njohjen reciproke të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit. Për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, promovimin e tregtisë dhe lehtësimin e procedurave kontrolluese, është lidhur marrëveshje për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve të origjinës jo-shtazore.

Një tjetër marrëveshje në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit, përvojave dhe teknologjisë është ajo e bashkëpunimit në fushën e inspektimeve, ku parashikohet dhe dhurimi i portalit e-inspection nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë për qeverinë e Kosovës.

Gjithashtu, ministrat e Brendshëm të dy vendeve tona nënshkruan dhe deklaratën e përbashkët të qëllimit duke u zotuar bashkërisht për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, kryesisht duke u fokusuar në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar e avancimin e shkëmbimit të informacioneve përmes sistemeve të Menaxhimit të Kufirit, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe avancimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e krimit.

Marrëveshjet e sotme, së bashku me ato të nënshkruara në dy mbledhjet e mbajtura në dy vitet e fundit mes qeverive, i sjellin vendet e qytetarët tanë më pranë njëri-tjetrit dhe ritheksojnë fuqizimin e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret mbledhjet e ardhshme të përbashkëta, të cilat duhet të mbahen mes vendeve tona, për diskutime të frytshme e dhënie hov të punëve të mira dhe bashkëpunimit.