Aktualitet

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë: Përmes veprimeve tona ndihmojmë në krijimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë!

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, në kuadër të Ditës së të Drejtave të Njeriut, përmes një postimi në faqen zyrtare të saj në rrjetin social “Facebook”, ka theksuar se kjo ditë na kujton se përmes veprimeve tona, ne mund të ndihmojmë në krijimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë për çdo qenie njerëzore, pavarësisht ndryshimeve që kemi mes njëri-tjetrit.

“Dita e të Drejtave të Njeriut | Sot shënohet 75 vjetori i një prej zotimeve globale më novatore në botë: Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.  Dita e të Drejtave të Njeriut shënon gjithashtu fundin e fushatës botërore të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Kjo ditë është një kujtesë se, përmes veprimeve tona, ne të gjithë mund të ndihmojmë në krijimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë për çdo qenie njerëzore – pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, gjinia, gjuha, opinionet politike ose opinionet e tjera, kombësia ose përkatësia sociale, pasuria, lindja apo përcaktime të tjera. Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin të drejtat e çdo njeriu”,- shkruhet në postimin e ambasadës.

Në kuadër të kësaj dite reagoi edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla e cila tha se Kuvendi është në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Ndërsa institucioni i Avokatit të Popullit, shkroi se në këtë ditë duhet të kemi guximin të përballemi me dështimet dhe të rregullojmë gabimet sa më shpejtë.

Çfarë ndodhi më 10 dhjetor 1948

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën Universale pёr të Drejtat e Njeriut. Pas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, të paraqitet, të lexohet dhe të shpjegohet sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukative të të gjitha vendeve dhe shteteve pa marrë parasysh statusin e tyre politik.