Aktualitet

Dosja “Partizani”/ Mbërrin në GJKKO kërkesa e Berishës për përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Irena Gjoka!

Dy ditë pasi avokatët e mbrojtjes Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kërkuan verbalisht në sallën e gjyqit përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka mbërrin dhe kërkesa me shkrim në sekretariatin e gjykatës.

Lajmi është konfirmuar nga Gjykata e Posaçme, e cila përmes një njoftimi publik thekson se kërkesa e Berishës, i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares pasardhëse të gatishmërisë, Flora Hajredinaj.

“Në kryesekretarine e GJKKO-së, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09:45, është paraqitur kërkesa e kërkuesit Sali Berisha, me objekt: “Kërkohet përjashtimi i gjyqtares Irena Gjoka”, nga gjykimi i kërkesës penale të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha, me bazë ligjore nenet 17, 18, 19, 21, 22, 23 të Kodit të Procedurës Penale. Duke qenë se gatishmëria për javën 23.10.2023-29.10.2023, referuar urdhërit të gatishmërisë të zv.Kryetares së gjykatës, i takon gjyqtares Irena Gjoka, kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares pasardhëse të gatishmërisë, Flora Hajredinaj”- thuhet në njoftimin e Gjykatës së Posaçme.

Çfarë ndodhi me gjyqin ndaj Sali Berishës në GJKKO ditën e djeshme?

Pak minuta para fillimit të seancës, e paracaktuar të niste në orën 14:30, në hollin e gjykatës është parë duke pritur një nga avokatët e shtetit, Artan Simoni. Avokati Simoni ishte aty në rast se avokatët e mbrojtjes së ish-kryeministrit nuk do të paraqiteshin në seancë, GJKKO do të vlerësonte sërish mundësinë për të mbajtur një proces gjyqësor me dyer të mbyllura me një avokat falas.

Sikurse ditën e martë, edhe dje ish-kryeministri Berisha deklaroi në konferencën për shtyp se nuk do të ishte prezent, por do të përfaqësohej nga dy avokatët mbrojtës Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi. Këtë e konfirmuan edhe vetë avokatët e çështjes për Top Channel.

Para orës 14:30, gjykata konfirmoi për Anila Hoxhën se kishte përsëritur njoftimin për Berishën, por pa e bërë të mundur njoftimin. Në orën 14:30, kur ishte lajmëruar edhe seanca në GJKKO, janë paraqitur dy avokatët e mbrojtjes Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi. Dhe seanca gjyqësore ka nisur normalisht për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.

Në orën 14:55, avokati kryesisht falas nga shteti Artan Simoni, largohet nga mjediset e GJKKO-së.

Në orën 16:00, dy avokatët e mbrojtjes Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi largohen nga seanca. Nga ana e tyre, u bë me dije se kanë paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe në këto kushte u larguan nga salla e gjykimit, duke deklaruar se nuk mund të realizojnë një mbrojtje efektive.

Në orën 16:11, me largimin e dy avokatëve të mbrojtjes, Gjokutaj dhe Mëngjesi, sipas burimeve të gazetares së TCH, Anila Hoxha, GJKKO thërret sërish avokatin kryesisht falas të shtetit Artan Simoni, i cili ishte larguar.

Deri në ardhjen e avokatit Simoni, gjykata ndërpreu për disa minuta shqyrtimin gjyqësor në pritje të mbërritjes së avokatit Artan Simoni, për vijimin e seancës gjyqësore.

Ora 16:36, vjen avokati Simoni dhe prokurorët e SPAK, hyjnë në sallë.

Ora 16:42, seanca shtyhet edhe për dy orë të tjera koha që kërkoi avokati Artan Simoni, për t’u njohur paraprakisht me aktet.

Ora 19:28, shtyhet seanca. Gjykata zëvendëson Simonin me një tjetër avokat nga lista e avokatëve kryesisht falas nga shteti, Rabie Cenalia, dhe i lë kohë kësaj të fundit që të njihet me aktet.