Bota

Drejt presidencialeve amerikane, Biden fiton zgjedhjet paraprake demokrate në Karolinën e Jugut!

Joe Biden ka fituar zgjedhjet paraprake demokrate në Karolinën e Jugut, sipas projektimeve të shtypit amerikan. “Nbc News” raporton se shefi i Shtëpisë së Bardhë mori 97.4% të votave, me 6% të votave të numëruara deri tani. Fitorja e presidentit amerikan mbështetej gjerësisht nga sondazhet e realizuara kohët e fundit, duke konfirmuar një avantazh dërrmues ndaj ligjvënësit Dean Phillips nga Minesota, si dhe rivales tjetër, shkrimtares Marianne Williamson.  Në Karolinën e Jugut janë 55 delegatë nga 2 mijë që nevojiten për të fituar nominimin presidencial demokrat në muajin nëntor të këtij viti kur miliona amerikanë me të drejtë vote përgatiten të zgjedhin presidentin apo presidenten e tyre.

Biden: Karolina e Jugut foli, unë sërish do ta mund Trump-in!

Joe Biden po shprehet i bindur se mund ta mposhtë Donald Trump-in edhe një herë në zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor. Në një postim në X pas fitores, Biden shkruan:

Populli i atij shteti foli dhe nuk ka dyshime që na vuri në rrugën për ta fituar sërish presidencën, për ta mposhtur edhe njëherë tjetër Donald Trump-in.

Testi në Karolinën e Jugut

Testi i zgjedhjeve paraprake në Karolinën e Jugut, që këtë vit jo rastësisht u zgjodh në vend të New Hampshire, për të hapur siparin e zgjedhjeve të demokratëve, i shërbeu fushatës së Biden-it për të testuar apelin e presidentit ndaj elektoratit me ngjyrë. Pas muajsh të tërë sondazhesh që tregojnë një përqindje në rritje të votuesve me ngjyrë, të zhgënjyer me administratën, ky votim paraprak solli një frymëmarrje  lehtësimi në fushatë.

Takimet e radhës

Ndalesa e radhës për demokratët do të jetë Nevada më 6 shkurt. Dy ditë më vonë, më 8 shkurt, aty do të përballen kandidatët republikanë Donald Trump dhe ish-ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley. Me interes pritet data 24 shkurt pasi Haley do të testojë shtetin e Karolinës së Jugut ku ka shërbyer si guvernatore, pra radha e lojës në shtëpi.

Në muajin shkurt ka sërish beteja për demokratët, në datën 27, në Michigan. Për republikanët, më 2 mars dhe më pas, Super Tuesday (Super e Marta) e 5 marsit kur votojnë 16 shtete, duke përfshirë Alabamën, Kaliforninë, Koloradon, Teksasin, Minesotën, Masaçusetsin, Virxhinian dhe Karolinën e Veriut.