Aktualitet

Dumani: Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori!

“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori”. Kjo u bë e ditur sot nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani gjatë takimit të parë të nismës më të re të dialogut mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes, “IDM Morning Briefing”. Por, Dumani u shpreh se prokurorët janë të përgatitur për t’i përballuar të gjitha këto situata.

Kryeprokurori i posaçëm nuk e fshehu shqetësimin për kërcënimin nga krimi i organizuar. Në takimin e sotëm, Altin Dumani citohet të jetë shprehur:

Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar, jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi sepse kjo është detyra jonë, të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyrë.

Për këtë deklaratë reagoi Lulzim Basha duke e cilësuar “kambanë alarmi që duhet të na shqetësojë të gjithëve”.

Çdo sulm i politikës ndaj sistemit të drejtësisë, nuk bën gjë tjetër vetëm se inkurajon krimin e organizuar të bëjë, gjithashtu, të njëjtën gjë. Ndaj Partia Demokratike e Shqipërisë dhe unë i kemi dhënë dhe vijojmë t’i japim SPAK-ut dhe organeve të reja të drejtësisë mbështetje pa kushte. Vetëm një drejtësi që i shërben shqiptarëve, është një drejtësi imune ndaj çdo kërcënimi.

Pak ditë më parë, në emisionin “Top Story”, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha zbuloi se një prokuror ishte kërcënuar nga eksponentë të krimit.

Një bos i krimit në Dubai kërcënoi me jetë një prokuror.

Në një tjetër zhvillim, sot u bë e ditur se Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për koncesionin e Sterilizimit. Për këtë koncesion me vlerë 100 milion euro, të pandehur janë Ilir Rrapaj, Klodian Rjepaj, Genc Burazeri, Marsela Serjanaj, Arben Gjata, Naile Ajazi, Petro Mersini, si dhe Saimir Kadiu. Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është nën akuzë për “Shpërdorim detyre”, kryer në bashkëpunim.

Në lidhje me sterilizimin, nën masën e “Arrestit me burg: janë Klodian Rjepaj e Ilir Rrapaj. Për dy të tjerë është vendosur “Arrest shtëpie” dhe katër vetë u lanë në masën “Detyrim për paraqitje”.

Komunikimi i akuzës nisi sot në orën 09:00, me të pandehurit e paraqitur në SPAK me avokatët e tyre. Por, Rrjepajt dhe Rrapajt, iu komunikua në burg. Ish-ministrit Beqaj do t’i komunikohet të hënën e 18 marsit akuza e “Shpërdorimit të detyrës”. Ndërkaq, sot ka ditën e paraqitjes para oficerit gjyqësor pasi ndaj tij është marrë masa e “Detyrimit për paraqitje”.

Brenda afatit 10 ditor, të akuzuarit kanë të drejtën që të paraqesin kundështimet e tyre. Më pas, prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi dërgojnë dosjen në GJKKO. I takon gjyqtarit të seancës paraprake vendimi nëse do ta kalojë dosjen për gjykim në gjykatë, do ta rikthejë në SPAK apo do ta pushojë dosjen. Sot ishte afati i fundit që GJKKO-ja i caktoi SPAK-ut për mbylljen e hetimeve.