Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

“E humba veten por ia dola”, Xhesika Polo rrëfen të gjitha emocionet në këngën e saj të fundit!

E ftuar në studion e “Live From Tirana” së fundmi ka qenë këngëtarja e njohur Xhesika Polo. Ajo foli më shumë për këngën e saj të sapopublikuar që është bërë pjesë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”, një këngë që solli të gjitha ndjesitë më të fshehura të këngëtares. Xhesika na tregoi më shumë rreth sfidave të jetës së saj, por dhe projektet e ardhshme…

Në një periudhë 6 mujore, Xhesika erdhi me tre projekte muzikore, për të cilat shprehet:

Nuk është pak, dhe për faktin që unë kam qenë më e tërhequr më parë. E kasha lënë veten pas dore padashje dhe kjo lidhet dhe me titullin e këngës sime “Humba veten”. Duhet rikujtuar vetes që nuk është aspak e turpshme të humbësh disa beteja e për të fituar disa të tjera, për të qenë më të fortë, më të vendosur për gjëra që duam të arrijmë dhe besoj se jam diku aty.

Tre projekte erdhën gjithashtu dhe në tre rryma të ndryshme, pse kjo zgjedhje?

Unë besoj shumë që eksplorimi i vetes sjell dhe të gjeturin e vetes. Përshembull nëse provon 10 bluza, është e sigurtë që njëra do të të rrijë më mirë se të tjerat.

Lidhur me “Lotët e mi”, çfarë ‘mjalti’ i ke provuar kësaj kënge?

Mjaltin e të qenurit e suksesshme për herë të parë në nivele shumë më të gjera se kur Xhesika bënte ato baladat shumë të bukura por që i shihnin vetëm 50 mijë veta. Përjetova një lloj suksesi që më ndihmoi shumë në prodhimtarinë time, më motivoi shumë që të vazhdoja të bëja muzikë sepse kishte njerëz që donin ta dëgjonin zërin e Xhesikës më shpesh. Por njëkohësisht më penalizoi sepse ndjesitë që mora, vëmendjen shumë të madhe, ishte shumë për mua për momentin. Dhe e ndjeva pasi mbaroi e gjitha, që ne kemi këtë periudhën e pauzës që ka çdo artist dhe themi: “Po tani”?

Si është të punosh me Alban Ramosaj?

Ne jemi familje tashmë, nuk jemi vetëm shokë dhe kolegë. Ne jemi dy njerëz shumë dinamikë, kokëshkemb të dy. Për sa i përket këngës “Lotët e mi” unë e kam gjetur refrenin të bërë gati. Albani është shumë frymëzues për mua, është një artist që brenda kokës së tij ka shumë pasuri artistike. Unë ia dua shumë atë pjesën. Është shumë këmbëngulës dhe ka nuhatje. Unë i besoj më shumë Albanit se sa vetes sime.

Për t’u kthyer tani tek “Humba veten”, projekti më i fundit i Xhesikës ku në foton e parë për të lajmëruar këngën këngëtarja duket pas disa hekurave të burgut…

Zakonisht në burg futesh kur bën krime, por këto krimet e mia ishin më të rënda se sa të dëmtosh dikë tjetër. Ishte një dëmtim i vetes, jo fizik, por një lloj penalizimi që i kam bërë vetes duke mos e shtyrë nga një gjendje që u futa nga janari. Pas gjithë suksesit është sfida e madhe se çfarë do bëj tani. U hasa me një sërë problemtaikash të tipit nuk kishim shumë koncerte sepse u fokusua vëmendja tek “Big Brother” dhe askush nuk donte t’ia dinte se ekzistoja unë apo kolegët e mi që jetojnë me këtë profesion. Pjesa tjetër ishte mungesa e motivimit që mua po më hante dita-ditës, mungesa e ambicies për t’u zgjuar në mëngjes dhe për të ndryshuar veten time. Kështu erdhi dhe kjo këngë. Unë e humba veten rrugës dhe hapi i parë që duhet të bëja ishte që ta pranoja. Dhe kjo ishte dhe pjesa më e vështirë. Kjo këngë është bërë për 5 minuta nga fillimi deri në fund, unë e kam nxjerrë nga shpirti. Dhe që nga ajo ditë unë kam marrë frymë më lehtë. Është një këngë që unë e kam dëgjuar çdo ditë si një formë terapie duke i thënë vetes që “je rrugës, po ia del”. Tani jam në një vend më të mirë.

Çfarë do të vijë së shpejti nga ty?

Unë e di që do ta tërboj tregun këtë vit. Ky është viti im dhe pikë. Edhe pse mund të quhet viti i Luizit (qesh). Ky është viti im, sepse kam filluar të lulëzoj brenda vetes sime. Unë e di që do të jenë disa muaj shumë të mirë.