Aktualitet

U shpëtua nga mjekët, asnjë ditë burg për shoferin që i këputi këmbën 24 vjeçares

Aksidentet e shumta rrugore që po marrin jetë përgjatë ditëve të fundit, është një nga argumentet me të cilat prokurorja Denisa Asko kërkon që 19-vjeçari Jehon Breçani të kthehet në qeli pasi aksidentoi këmbësoren 24-vjeçare Xhesina Gega, duke i këputur asaj të këmbës dhe dëmtime të tjera që sipas prokurorisë përbëjnë 1/3 të aftësive të përgjithshme fizike.

Pas bërjes publike të lajmit një natë më parë, që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj Breçanit nga arrest me burg në “arrest shtëpie”, ka sjellë sot reagimin e Organit të Akuzës.

Konkretisht prokuroria parashtron katër argumente, ku dhe e mbështet këtë kërkesë, duke theksuar se dëmtime që e reja ka pësuar janë mjaft të rënda ndërsa 19-vjeçari ka qenë duke udhëtuar në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Nga ana tjetër prokuroria shprehet se gjendja shëndetësore e drejtuesit të automjetit dhe fakti i normalizimit të marrëdhënieve nuk ndikojnë në kualifikimin ligjor të faktit penal. Në lidhje me shkeljen e kryer prej tij Kodi Penal parashikon burgimin që fillon nga 1 deri në 5 vite burg.

Argumentet e prokurorisë

Pavarësisht se ende nuk është përcaktuar mekanizmi i zhvillimit të aksidentit, dëmtimet e viktimës në momentin e parë të ngjarjes kanë qenë të një shkalle të tillë që kanë sjellë nevojën që të dërgohet në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës dhe referuar fakteve të njohura botërisht se viktima ka humbur një gjymtyrë të poshtme. Gjatë seancës së shqyrtimit të kësaj kërkese nga ana jonë është paraqitur akti i ekspertimit mjeko-ligjor të viktimës ku ka rezultuar se dëmtimet kanë qenë të rënda dhe viktima ka gjymtim të përhershëm në masën mbi 1/3 të aftësive të përgjithshme.

Së dyti, pavarësisht se nuk është përfunduar akti i ekspertimit autoteknik, qartazi nga rrethanat e ngjarjes të bëra tashmë publike, personi nën hetim nuk ka qenë duke zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor.

Gjithashtu pavarësisht rrethanave personale të personit nën hetim, gjendjes së tij shëndetësore, për të cilën ende nuk është administruar akti i ekspertimit si dhe faktit të normalizimit të marrëdhënieve, këto rrethana nuk ndikojnë në kualifikim ligjor të faktit penal.

Vepra penale parashikuar nga neni 290/2 i K. Penal ka një rrezikshmëri të lartë ndaj dhe dispozita parashikon burgimin që fillon nga 1 deri në 5 vjet. Në këto kushte vlerësojmë se në bazë të akteve që disponohen deri në momentin e caktimit të masës nuk ndodhemi në kushtet e zëvendësimit të masës së sigurimit personal.

Së fundmi, duhet mbajtur parasysh fakti se pavarësisht praktikës së ndjekur për caktimin e masave të sigurimit persona ndaj këtyre shtetasve dhe rrethanave personale, numri i rasteve të arrestimit në flagrancë në këtë kategori veprash penale, vijon të mbetet i lartë, çka tregon që kjo masë shtrënguese nuk ka arritur të jetë efektive. Nga gjykata duhet të mbahet parasysh fakti që kjo vepër penale është mjaft e përhapur në shoqërinë shqiptare dhe pasoja e mundshme është e rëndë.

Jehon Breçani, djali i ish-zv/drejtorit të Policisë Erzen Breçani, nuk bëri asnjë ditë burg për aksidentin e rëndë që i shkaktoi dëmtime të rënda këmbësores që u godit nga një automjet që po vinte me shpejtësi, teksa po priste një shoqe në trotuar. Për Breçanin fillimisht u dha masa e sigurisë “arrest me burg”, por më pas ajo u ndryshua në “arrest shtëpie” dhe i riu iku menjëherë në shtëpi pasi u shërua nga dëmtimet e marra prej aksidentit.