Sociale

Ekselentët që i duhen policisë! Akademia e Sigurisë, 100 kuota për studentë nga jurisprudenca, ekonomia dhe IT

Trupa e Policisë së Shtetit do të rigjenerohet dhe do të rriten kapacitetet profesionale të saj pasi pritet që asaj ti bashkohen 100 studentë ekselentë të cilët në përfundim të ciklit të përshpejtuar të studimeve do të inkuadrohen në radhët e Policisë Kriminale, për të fuqizuar goditjen ndaj krimit ekonomik, kibernetik etj.

Policia e Shtetit ka përcaktuar kuotat e pranimit në bazë të nevojave të drejtorive vendore në qarqe.

“Këta 100 të rinj që do të pranohen në radhët e Akademisë së Sigurisë, janë pjesë e grupit që ne i kemi quajtur “të ekselencës”, pasi ata duhet të plotësojnë disa kritere dhe vijnë nga degët:

– jurisprudencë, ekonomi ose IT;

– mesatarja 8 e lart në të dy ciklet e studimit, pra bachelor dhe master;

– gjuha angleze.

Së fundmi kemi nënshkruar një marrëveshje me Universitetin e Tiranës, e cila synon që të nxisë rritjen e kapaciteteve profesionale dhe standardeve etike të nëpunësve, të MB e të PSH”, tha zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko.

Aplikimet të cilat janë të hapura deri më 30 gusht bëhen pranë drejtorive vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm. Pas përfundimit të konkurrimit, renditja e aplikantëve fitues sipas rezultateve të arritura do të bëhet në nivel qarku ku ata kanë aplikuar, në bazë të kuotave të shpallura për konkurrim.

Në fokus të ministrisë të Brendshme janë edhe ata që tashmë janë punonjës policie për të cilët në vitin e ardhshëm pritet të ketë një rritje të konsiderueshme pagash, si dhe programin social që prek familjet e reja të punonjësve të policisë për të cilët janë në dispozicion 100 banesa.