Showbiz

Elton John flet për Michael Jackson në librin e ri: “Ai ishte i sëmurë mendërisht”

Këngëtari i famshëm britanik Elton John në kuadër të tërheqjes nga muzika ka vendosur të qëndrojë pranë fansave të tij nëpërmjet publikimit të një libri.

Libri i quajtur “Me” lidhet me kujtimet e tij dhe marrëdhëniet me personazhet e tjerë të famshëm që ka njohur përgjatë dekadave të tëra në industrinë e muzikës e jo vetëm.

Në një kapitull, John ndalet për të folur edhe për legjendën e muzikës pop, Michael Jackson i cili edhe pse ka ndërruar jetë 10 vite më parë vazhdon të jetë qendra e vëmendjes më së shumti për akuzat për ngacmime seksuale ndaj të miturëve.

“E kam njohur Michael- in që në moshën 13 apo 14-vjeçare. Ishte një fëmijë tepër i lezetshëm. Pastaj krejt papritur nisi të izolohej nga bota, njësoj siç ndodhi me Elvis Presley- n. Një Zot e di se çfarë droge po merrte , por sa herë që e takoja në vitet e tij të fundit të jetës, e vetmja gjë që mendoja ishte se ky i gjorë e ka të humbur. Ishte vërtet sëmurë mendërisht. Ishte e vështirë të kaloje kohë me të”,-shkruan John.

Libri i këngëtarit pritet të publikohet ditën e nesërme ku do të zbulohen të tjera detaje rreth të gjithë yjeve dhe marrëdhëniet e tyre me Elton John.