Showbiz

Ermal Meta: “Bushpepa këndon më mirë se unë, Italia në Eurovizion bëri një tradhëti të vogël”

Ermal Meta mbrëmjen e kaluar ishte i ftuar në ‘Top Show Magazine’ ku rrëfeu për eksperiencën e tij në Eurovizion si edhe për koncertin që mbajti në Sheshin Skënderbej.

Artisti është shndërruar në një ndër personazhet më të dashur për publikun shqiptar dhe kjo u vërtetua nga mijëra njerëz që ishin të pranishëm në koncertin e tij në Tiranë.

Meta u shpreh se kishte shumë emocione para se të dilte në skenë. Kjo ishte hera e parë për të që performonte në Shqipëri pranë një publiku kaq të madh, për këtë arsye dha të gjithë dashurinë dhe energjinë e tij.

Këngëtari gjithashtu rrëfeu se në Eurovizion, Eugent Bushpepa ishte konkurrenti më i fortë. Zëri i tij ishte më i miri, më potenti.

“Eugenti këndoi shumë më mirë se unë. Ai është një këngëtar jashtëzakonisht i mirë, këndoi më mirë nga të gjithë atje” ,-tha Ermali.

Ai shtoi se fakti që Italia e vlerësoi Shqipërinë me 0 pikë ndërkohë që i dha pikë Norvegjisë ishte një veprim i pakuptueshëm, madje këngëtari e quajti një tradhëti të vogël.